Deklaratat e TVSH-së, denoncimi i kontabilistëve: Biznesi i vogël ka paguar tatimorët për t’i plotësuar

Tuesday, 17 July 2018 09:33

Vetëm 2% e biznesit të vogël dhe të mesëm e kanë plotësuar vetë deklarimin e TVSH-së, pas përfshirjes në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ndërsa pjesa tjetër kanë paguar për plotësimin dhe dorëzimin e tyre një kontabilist.

Sipas shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, shkak për këtë është bërë mungesa e informacionit  nga ana e bizneseve, por edhe formimi arsimor i tyre, që në të shumtën e rasteve nuk ka lidhje me kontabilitetin.
Kreu i kësaj shoqate, Albert Nasto thotë për Ekonomix.al, se vetëm 60% e bizneseve e kanë dorëzuar deklaratën dhe kjo shifër do të pësojë rënie në muajt e ardhshëm, pasi shumë biznese rrezikojnë të mbyllen, për shkak të përfshirjes në skemën e TVSH-së.
“Thuajse të gjitha bizneset e vogla janë detyruar që deklaratat t’i plotësojnë përmes kontabilistëve. Nuk e kanë informacionin por edhe formimin e duhur për t’i plotësuar vetë. Mund të them, se vetëm 2% e tyre i kanë plotësuar vetë.
Deri tani, ashtu siç deklaroi dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, 60% e bizneseve i kanë dorëzuar deklarimet. Por, mund të them, se pas disa muajsh, numri i bizneseve që do i deklarojnë do ulet, pasi shumica do mbyllen si efekt i përfshirjes në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar” thotë Nasto.
Ai thekson, se një kontabilist duhet të paguhet nga biznesi i vogël, minimalisht 6 mijë deri në 10 mijë lekë në muaj, për të plotësuar deklaratat.
“Një biznesi të vogël i duhet të paguajë, minimalisht, 6 deri në 10 mijë lekë në muaj për të plotësuar dhe dorëzuar deklaratat. Në të kundërtën, duke u përpjekur vetë gabon dhe më pas e pëson tek gjobat e Tatimeve” shprehet ai.
Për Naston, kostot e biznesit janë rritur, pasi në varësi të numrit të artikujve që tregëton, duhet të paguajë kontabilistin.
“Pagesa e një kontabilisti është në varësi të artikujve që ka biznesi i vogël dhe ai i mesëm. Sa më shumë artikuj, aq më shumë para kërkon kontabilisti. Kjo ka rritur kostot e biznesit” thekson Nasto.
Plotësimi i deklarimeve nga biznesi i vogël, në të shumtën e rasteve bëhet edhe nga vetë tatimorët, në mënyrë ilegale, ndonëse janë në konflikt të hapur interesi.
Sipas kontabilistit, Agim Binaj, është vënë re, se gjatë gjithë kësaj periudhe, kur biznesit të vogël i është dashur që të plotësojë dhe dorëzojë deklarimet, afro 70% e tyre janë realizuar nga vetë tatimorët që janë brenda sistemit.
“Unë e kam ndjekur me shumë vëmendje procesin për biznesin e vogël dhe mund të them, se afro 70% e bizneseve i kanë plotësuar deklarimet nga tatimorë që janë brenda sistemit të Tatimeve. Kjo është e ndalur, por po të pyesësh bizneset, ata ta konfirmojnë një gjë të tillë. Pra, kontabilistët thuajse nuk janë përfshirë fare në këtë proces” thotë Binaj.
Të njëjtin fakt e pohon edhe Sotiraq Dhamo, një tjetër ekspert kontabël, i cili shprehet, se tatimorët po e kryejnë këtë proces, por se gjatë punës së tij me bizneset, ka vënë re se ka pasur edhe nga ata që kanë dashur konsulencën e kontabilistëve.
“Unë kam konstatuar se ka pasur biznese që i kanë plotësuar deklarimet me konsulencë nga Tatimet, por ka edhe një pjesë që i kanë plotësuar me kontabilistë.
Siç kam vënë re, po ashtu, se ka nga ato biznese që deklarimet i kanë plotësuar nga tatimorë brenda sistemit, çka në fakt është e ndalur, por ata e bëjnë këtë punë” thotë Dhamo.
Këtë të hënë skadon afati për dorëzimin e deklaratës së TVSH-së nga biznesi i vogël, që u përfshi në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 1 prilli i këtij viti.
Tatimet e shtynë me 1 javë afatin, për t’iu krijuar mundësi të gjithë subjekteve që të plotësonin dhe dorëzonin në kohë deklaratën.
Në të gjithë vendin janë përfshirë në skemën e TVSH-së dhe rrjedhimisht kanë detyrimin ligjor për të dorëzuar deklaratën rreth 11.700 biznese të vogla.
Sipas ligjit, bizneset që nuk do të dorëzojnë brenda ditës së sotme deklaratën e TVSH-së do të gjobiten me 5 mijë lekë.
Ndërkohë që burime nga administrata tatimore bëjnë të ditur se nuk do të ketë gjoba, për deklaratat e plotësuara me gabime, pasi këtyre tatimpaguesve do t’iu jepet mundësia të korrigjohen.
Nga 1 prilli i këtij viti, të gjitha bizneset me xhiro vjetore 2-5 milionë lekë janë përfshirë në skemën e TVSH-së. Kjo i ngarkon me detyrimin ligjor për të mbajtur libra shitje e blerje dhe deklarim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...