Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grupim qytetarësh e artistësh që kundërshtojnë shembjen e Teatrit dhe vjedhjen e pronës publike, e kanë ngritur shqetësimin e tyre dhe përpara përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Përmes një letre, Aleanca i shpjegon Delegacionit të BE-së, ambasadorëve dhe europarlamentarëve shkeljet e Kushtetutës që qeveria Rama ka bërë duke miratuar ligjin “special” që i jep të drejtë kompanisë Fusha shpk të rizhvillojë për interesat e saj të gjithë zonën ku ndodhet sot Teatri.
Pikat kryesore të letrës së Aleancës janë këto:
1) “Ligji special” është shkelje e çdo parimi për barazinë para ligjit dhe konkurencës së ndershme, parime këto të Kushtetutës dhe MSA-së së firmosur mes Shqipërisë dhe BE-së.
Mospërkufizimi i kësaj lloj forme ndihme në ligje të tjera, si psh Kodi Civil, vjen nga fakti që ato parandalohen paraprakisht nga Kushtetuta e vendit.
2) Firma Fusha shpk nuk ka aspak një pozicion të privilegjuar pasi prona për tu rizhvilluar është mbi 90 për qind pronë publike.
Edhe sikur kjo të mos ishte e vërtetë, nevoja për kokurim transparent nga ku zgjidhje të tjera mund të dilnin nuk eleminohet dot.
3) Qeveria vazhdon të mos ketë asnjë justifikim për faktin se thuajse gjysma e truallit publik është në pronësi të Këshillit Bashkiak, i cili miraton transfertën me vetëm 3/5 e votave.
4) Qeveria vazhdon të mos pranojë që Gjykata Kushtetuese praktikisht është e bllokuar dhe nuk merr dot asnjë vendim, megjithëse kërkesat mund të depozitohen.
5) Qeveria gënjen teksa thotë se godina nuk ka pasur kurrë vlerë historike e kulturore. VKM Nr. 180, datë 13.04.2000, kur vetë Edi Rama ishte Ministër Kulture, e përfshin Teatrin Kombëtar në zonën Ansambël Monument Kulture. Ky vendim është shfuqizuar vetëm vitin e shkuar nga Qeveria për ti hapur rrugë rizhvillimit për interesa privat të zonës.
Ndërkohë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit njofton dhe qytetarët se do vazhdojë protestën e saj të vazhdueshme çdo ditë në sheshin eTeatrit në orën 19:00.