Singapori premton se do të reduktojë veprimet me cash dhe çeqe, teksa po shkon drejt ekonomisë dixhitale. Qeveria po nxit zhvillimin e konkurrencës në drejtim të ofruesve të shërbimeve. Sipas ministrit Ong, çeqet nuk do të përdoren më në vitin 2025
Singapori po përshpejton kalimin drejt pagesave dixhitale, duke premtuar se do të eliminojë përdorimin e çeqeve deri në vitin 2025 dhe mbi të gjitha, do të zvogëlojë tërheqjet e parave nga bankomatet.
Të dyja metodat e pagesave kanë pësuar rënie, tha në një deklaratë për shtyp javën e kaluar, ministri i Arsimit, Ong Ye Kung, i cili është pjesë e bordit të Autoritetit Monetar të Singaporit. Për të promovuar transfertat elektronike të fondeve, platforma e pagesave e miratuar nga qeveria, e quajtur PayNow, do të përdoret në kompani të ndryshme, duke filluar nga 13 gushti i këtij viti. Singapori po përpiqet që të zhvillojë teknologjinë dixhitale, për të përmirësuar statusin e tij si një qendër financiare rajonale dhe më pas, të konkurrojnë me qytete të tjera të mëdha, si Hong Kongu dhe Londra.
Konkurrenca brenda vendit po rritet, duke qenë se banka më e madhe në vend, DBS Group Holdings, po konkurron me kompaninë teknologjike Grab Inc në drejtim të pagesave dixhitale, ndërkohë që gjigantët kinezë, si Ant Financial, po kërkojnë të zgjerohen në Azinë Juglindore. “Qëllimi ynë nuk është që ne të jemi një shoqëri pa para, por të përpiqemi t’i përdorim sa më pak të jetë e mundur paratë cash/ në dorë dhe të rrisim pagesat dixhitale. Kur niveli i besueshmërisë dhe komoditeti të rriten, atëherë adoptimi nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë do të ndodhë padyshim brenda një kohe të shkurtër dhe do të vijë gjithnjë e duke u përhapur”, tha më tej ministri Ong.
Zgjerimi i PayNow
Sipas ministrit Ong, sot, janë më shumë se 1,4 milionë persona të regjistruar në shërbimin PayNow dhe thuajse që nga fillimi i përdorimit të tij vitin e kaluar, janë transferuar 662 milionë dollarë amerikanë.
Zgjerimi i këtij shërbimi do t’u mundësojë klientëve të shtatë bankave të transferojnë fonde nëpërmjet PayNow në Singapor. Ata janë DBS, Oversea-Chinese Banking Corp., United Overseas Bank Ltd., Standard Chartered Plc, HSBC Holdings Plc, Malayan Banking Bhd. dhe Citigroup Inc., sipas shoqatës së bankave. Tërheqjet e parave cash/ në dorë në ATM kanë shënuar rënie prej me më shumë se 300 milionë dollarësh në vit, tha z. Ong.
Edhe kontrollet e transaksioneve të pagesave elektronike, të njohura si FAST dhe GIRO, kanë shënuar rënie në 28% në vitin 2017, nga 37% që ishin në 2015 dhe sipas z. Ong, këto shifra mund të zbresin deri në 15% në vitin 2020. “Suedia ia ka dalë me sukses në këtë drejtim. Edhe ne mund t’ia dalim gjithashtu, tha ministri Ong, duke iu referuar mbi të gjitha faktit për të qenë një shoqëri pa çeqe.
Z. Ong tha se, ndërkohë që Singapori po nxit konkurrencën midis ofruesve të shërbimeve të pagesave dixhitale për t’u dhënë zgjidhje konsumatorëve, ai gjithashtu po mundohet të sigurojë platformat e ndryshme që mund të veprojnë, duke përdorur një sistem të standardizuar të kodimit të shpejtë, të njohur si SG QR, i cili do të zbatohet më vonë gjatë këtij viti
“Qëllimi ynë është t’u mundësojmë konsumatorëve zgjedhjet më të mira dhe më komode për ta dhe, mbi të gjitha, duke nxitur inovacionin. “Ky është parimi kryesor në qasjen që ne kemi ndaj pagesave elektronike”, përfundoi ministri Ong.
Nga: Chanyaporn Chanjaroen, me asistencë të Ronnie Harui / Bloomberg