E paralajmëroi FMN! Bien të ardhurat, futja e TVSH në biznesin e vogël s’ka sjellë rendiment fiskal

Tuesday, 24 July 2018 07:16

Ashtu siç Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte lajmëruar, përfshirja e TVSH në biznesin e vogël nuk ka sjellë rendiment fiskal, të paktën muajin e parë të zbatimit.

Nisma e qeverisë e cila synonte që nëpërmjet uljes së kufirit të TVSH në bizneset me xhiro 2 milionë lekë (nga 5 milionë lekë që ishte më parë), do të fuste në skemën e formalizimit të TVSH-së biznesin e madh dhe jo të mblidhte të ardhura nga të vegjlit,  duket se nuk ka funksionuar në muajin e parë të zbatimit të saj.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të ardhurat nga TVSH e brendshme në muajin maj shënuan rënie me 8.9 për qind në krahasim me muajin maj të vitit të vitit të kaluar. Financat raportuan se në maj u grumbulluan 267 milionë lekë më pak se në muajin maj të vitit të kaluar. Të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme nuk po reflektojnë reformën fiskale të qeverisë, as rritjen ekonomike dhe atë të inflacionit.
Vendimi për të përfshirë biznesin e vogël me xhiro mbi 2 milionë lekë në TVSH hyri në fuqi me 1 prill të këtij viti. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se rreth 11,340 subjekte që i përkasin fashës 2 deri në  milionë lekë, dorëzuan, pranë Administratës Tatimore, deklaratën e thjeshtuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Kjo shifër përbën rreth 97% të totalit të deklaratave të gjeneruara nga sistemi, për tatimpaguesit e vegjël, të cilët mbartën detyrimin për të deklaruar dhe paguar TVSH-në. Bizneset e vogla paguan për herë të parë TVSH në 16 korrik, por synimi i qeverisë nuk ishte të mblidhte para nga biznesi i vogël, por nga i madhi, pasi ky i fundit ishte ankuar se nuk mund të shkarkonte dot faturat e TVSH-së pasi të vegjlit nuk i merrnin nga frika se mos kalonin kufirin. Për këtë arsye, qeveria e uli kufirin nga 5 në 2 milionë lekë, në mënyrë që biznesi i vogël të nxitej të merrte fatura me TVSH. Burime nga tregu pohuan se ulja e kufirit e ka shtuar dhe më shumë këtë tendencë, pra subjektet e vogla po kryejnë furnizime në minimum në mënyrë qët ëmos kalojnë pragun e 2 milionë lekëve. “Më parë subjektet e vogla edhe merrnin ndonjë faturë, ndërsa tani nuk duan të marrin pothuajse fare”, ka pohuar në kushtet e anonimatit një subjekt i madh prodhues e tregtues i lëngjeve.
Më herët këtë vit, përfaqësuesja e Misionit të FMN në Tiranë, Anita Tuludhar tha se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha. Kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave.
Që në tetor të vitit të kaluar, kur qeveria prezantoi planin e saj për të ulur pragun e TVSH-së, FMN-ja e shprehu hapur skepticizmin e saj. Më herët, përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual.
Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin kanë vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”.
Rezultatet fiskale të muajit maj në lidhje me TVSH e grumbulluar nga tatimet konfirmuan këto paralajmërime.

Modifikuar më Tuesday, 24 July 2018 16:26
Login to post comments