Shoqata e pronarëve “Pronësi me Drejtësi” kundërshton ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Pronës, pasi hedh dyshime, se qeveria përmes këtij institucioni do të mund t’i japë pronat ashtu siç i intereson.
Është kreu i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi, i cili në një intervistë të dhënë për Ekonomix.al, thotë, se shkrirja e disa institucioneve dhe bashkimi në një, i jep dorë qeverisë që pronat t’ia japë kujt të dojë, pa kompensuar pronarët e vërtetë.
Sipas Vorpsit, ngitja e kësaj agjencie është një prapavijë e qartë, e cila ndihmon qeverinë që të kontrollojë të gjitha vendimet përmes një praktike më të lehtë dhe që bie në kundërshtim edhe me praktikat europiane.
“Ngritja e një Agjencie të vetme për pronën, për mendimin tim është një gabim. Mendoj se ka një prapavijë të qartë, për kontrollin e vendimeve dhe vendimmarjen më të lehtë nga ana e qeverisë, për t’ia dhënë pronën kujt të dojë.
Por nga ana tjetër, ngritja e një agjencie të tillë, bie në kundërshtim edhe me strategjinë e pronës, që është hartuar nga Bashkimi Europian dhe që pak ditë më parë e lançoi edhe ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin. Ajo kërkoi mbylljen e ALUIZNI-t, pasi BE vlerëson, se prona duhet t’i kthehet pronarit, jo t’i zaptohet” thotë Vorpsi.
Sipas tij, edhe raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, për herë të parë, ka trajtuar çështjen e pronës, ku kërkon një ligj tjetër për pronën.
“Për herë të parë, në raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, flitet për çështjen e pronës në Shqipëri. Edhe aty, siç edhe vetë Bashkimi Europian, flitet për problematikat dhe zgjidhjen e problemit, i cili lidhet me hartimin dhe vënien në zbatim të një ligji të ri për pronën. Por shtetit shqiptar po i mbyll sytë përpara realitetit” thotë ai.
Sipas Vorpsit, pronarët sot po përballen edhe me mosdhënien e kompensimit financiar nga shteti, për efekt të procesit të legalizimeve.
“Që nga viti 2008 kur doli vendimi, pronarët vijojnë të kenë probleme sa i përket shpronësimit financiar për efekt të legalizimeve. Vendimi doli për të dhënë paratë e pronarëve, por ata deri tani kanë marë deri në 70% të vlerës, duke bërë që shteti të krijojë një gropë financiare edhe me ta” thotë ai.
Muaji shtator do të sjellë zbatimin e reformës së pronës, ku qeveria do të bashkojë disa institucione, për të krijuar Agjencinë Kombëtare të Pronës.
Ishte kryeministri i vendit, Edi Rama që njoftoi një ditë më parë, se qeveria do nisë një reformë të re, atë të pronave, ku në funksion të këtij qëllimi do të bëhet edhe bashkimi i institucioneve të pronës në një të vetme, që do të jetë Agjencia Kombëtare e Pronës.
Reforma parashikon edhe marrjen e titullit të pronësisë përmes një programi të specifikuar digital.
Me krijimin e institucionit të ri do të ketë dhe strukturë apeli, në mënyrë që qytetarët të mos jenë të detyruar të shkojnë në gjykatë, por të apelojnë brenda institucionit.