Çdo ditë dëgjojmë në mënyrë të përsëritur nga Narkoshteti, se në Shqipëri nuk ka fare drogë dhe se çdo gjë po shkon për së mbari.
Por çdo ditë sa vjen dhe kapen sasi më të mëdha droge në çdo cep të Shqipërisë.
Vetëm ditën e sotme janë sekuestruar 1.4 ton kanabis sativa në Tepelenë.
Policia e Shtetit thotë se droga ishte e ngurtësuar, paketuar, por pa dhënë kohën se kur është mbjellë dhe korrë kjo sasi e madhe kanabisi.
Bashkë me drogën është sekuestruar edhe një arsenal i vërtetë armësh, 12 kallashnikovë, një snajper, pushkë dhe armë gjahu.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Operacion Policor i koduar "Vjosa", sekuestrohet një arsenal armësh si dhe një sasi lënde narkotike
Në afërsi të fshatit Leshnje, Bashkia Memaliaj, në një zonë mes shkurresh e pemësh, në afërsi të shtratit të lumit Vjosa janë konstatuar të fshehur dhe të mbyllur me celësa dy furgona të bardhë të markës 'Mercedes Benz' me targa të falsifikuara.
Gjatë kontrollit grupi hetimor konstatoi se në brendësi të furgonave kishte pako me lëndë narkotike dhe armë zjarri dhe konkretisht:
16 armë zjarri (1 snajper, 12 kallashnikovë, 2 pushkë dhe 1 armë gjahu).
1 ton e 463 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa (prodhuar më herët, një pjesë e ngurtësuar drejt dekompozimit)
Si rezultat i presionit të kontrollit të ushtruar javët e fundit në atë territor nga shërbimet e Policisë për evidentimin e personave që mund të mbajnë armë e lëndë narkotike me qëllim trafikimin e saj, personat që dispononin lëndën narkotike dhe armët e zjarrit i kanë fshehur në pyll me qëllim shmangies së kontrollit.
Operacioni ndiqet me metoda speciale dhe për këtë arsye nuk mund të jepen të dhëna të tjera.
Materialet do t'i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për hetim të mëtejshëm, për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit“ dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve sportive dhe të gjuetisë” parashikuar nga nenet 283/1, 278 dhe 280 të Kodit Penal.