Temperaturat e larta kanë ndikuar negativisht në kulturat bujqësore verore në Shtetet e Bashkuara, por vala e nxehtësisë e këtij viti ka përfshirë shumë shtete në mbarë botën.
Disa nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë, Rusia, Australia si dhe vende të Bashkimit Europian janë në mes të një thatësire dhe vale nxehtësie, të cilat po e çojnë tregun botëror të grurit në deficitin e parë prej gjashtë vitesh, thuhet në një raport të Bloomberg.
Disa vende europiane po përballen me mungesa të rezervave dhe kjo po ndikon tek çmimet në një shumëllojshmëri produktesh.
Buka, makaronat, drithërat, biskotat, ëmbëlsirat, madje edhe birra po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta në botë dhe rritja e çmimeve mund të përfshijë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto të fundit së shpejti pritet të eksportojnë më shumë grurë se zakonisht për vende si Gjermania dhe Ukraina.
Në vitin 2010, zyrtarët rusë ndaluan eksportet e grurit në vende të tjera pas një sezoni të nxehtë që dëmtoi prodhimin e grurit. Kjo lëvizje bëri që çmimi i bukës të rritet në shumë vende, por, aktualisht nuk ka asnjë ndalim për eksportet e grurit nga asnjë shtet.