Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Amarildo Çalamani, i cili përplasi për vdekje dy kushërinj dhe plagosi një tjetër.
Çalamani i tha gazetarëve në gjykatë se nuk kishte asgjë për të thënë në lidhje me ngjarjen.
Avokati i 24-vjeçarit ka deklaruar se i akuzuar ka heshtur, pasi ishte në një gjendje të rënduar psikologjike.
Prokuroria dhe policia kanë konkluduar se Çalamani ishte me disa shkelje ku më e rënda ishte ajo e tejkalimit të shpejtësisë.
Aksidenti ndodhi tre ditë më parë më 26 gusht në fshatin Arapaj, ku kushërinjtë Amarildo dhe Festim Dogani, 29 dhe 21 vjeç humbën jetën dhe u plagos Martin Dogani, 22 vjeç. Ata ishin ulur në trotuar kur makina që drejtohej nga bashkëfshatari i tyre doli nga rruga dhe i përplasi.
Si ndodhi ngjarja e rëndë
Sipas policisë, dy viktimat dhe i plagosuri kanë qenë këmbësorë, kur një automjet ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke i përplasur në anë të saj dhe më pas ka përfunduar në kanal.
Makina tip "Volkswagen", drejtohej nga Amarildo Çalamani, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas aksidentit për tu kapur vetëm pak minuta më vonë nga policia.