Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit marrëveshjen e huas mes Shqipërisë dhe Fondit të OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Vlera e marrëveshjes, së miratuar në parim dhe që pret aprovimin e Kuvendit në Shtator, kap shifrën e 16 milionë dollarëve amerikanë.
Sipas vendimit të qeverisë, kjo shumë do të përdoret për të financuar punimet për riparime emergjente në autostradën Tiranë-Elbasan.
Në një vlerësim të fundit të Korrikut, ARRSH llogarit se vetëm lirimi dhe stabilizimi i rrëshqitjeve të ndodhura në muajin Dhjetor 2017 në këtë aks do të kushtojnë rreth 374 milionë lekë, apo rreth 3.4 milionë dollarë.
Ndërkohë, tenderi për fazën e parë të këtyre punime është hapur dhe pritet që lirimi i segmentit të bllokuar të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.
Sa i takon pjesës tjetër të fondit prej 16 milionë dollarësh, ai mund të përdoret për të përfunduar punimet e tjera të nevojshme të kësaj autostrade.