Një grup prej 14 organizatave për të Drejtat e Njeriut, duke përfshirë Human Rights Watch, Amnesty International dhe PEN International, i kanë shkruar një letër të hapur drejtorit të përgjithshëm të Google, Sundar Pichai, duke kërkuar që ai të ndryshojë planet e tij për të nisur një motor kërkimi të censuruar në Kinë.
Lajmet thanë në fillim të gushtit se Google po planifikonte të rihapej në Kinë pas një heshtjeje tetëvjeçare. “Intercept” zbuloi se kompania ishte duke punuar në një shërbim të ri kërkimi, me emrin e koduar “Dragonfly”, dhe se Pichai u takua me një zyrtar të qeverisë kineze në dhjetor të vitit 2017.
Në letrën e tyre, grupet e të drejtave të njeriut thanë se plani do të ishte një “kapitullim alarmant nga Google për të drejtat e njeriut”, që do të thoshte vendosjen e “një prej regjimeve më të ashpra të censurës në internet dhe regjimeve të mbikëqyrjes”.
Në vitin 2010, Google njoftoi se po dilte nga tregu kinez pasi zbuloi një “sulm” shumë të sofistikuar nga ana e Kinës. Qëllimi kryesor i kinezëve ishte depërtimi në llogaritë e Gmail të aktivistëve kinezë për të drejtat e njeriut.
“Nëse pozicioni i Google ka ndryshuar me të vërtetë, atëherë kjo duhet të shprehet publikisht, së bashku me një shpjegim të qartë se si Google mund të marrë një vendim të tillë që prek standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe vlerat e veta të korporatës”, tha grupi në letrën e tyre.