Mediat italiane shkruajnë se Shqipëria ishte dashuria më e re të italianëve për të kaluar pushimet e verës.
“ilmessaggero”, e fakton edhe me shifra, duke shkruar se 5.7% e italianëve kanë zgjedhur pikërisht Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre të verës, një normë kjo realitivisht e lartë për një vend si Shqipëria.
Pra, perceptimi i përgjithshëm, se italianët janë dyndur masivisht në Shqipëri, sidomos gjatë këtij viti, duket se përligjet edhe nga shifrat. Sipas prestigjiozes italiane, interesi i lartë i turistëve italianë për vendin tonë, vërehet edhe me kërkimet e shumta në internet si dhe me interesin e lartë në portalet e prenotimeve dhe ato të hoteleve.
Shkrimi vijon më tej, duke dhënë edhe motivet se përse italianët kanë filluar ta duan kaq shumë Shqipërinë. Raporti çmim/cilësi vlerësohet si një ndër shtysat kryesore. Madje, atë që shumëkush ndër ne e konsideron si problemin numër një të turizmit në vendin tonë; shërbimin, duket se italianët e cilësojnë si mjaft të mirë.
Atraksionet e shumta turistike, plot 3390 të tilla vlerësohen si një tjetër pikë e fortë e turizmit shqiptar, në menunë gjigande të ofertave për muajt e verës, jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë.