“Njolla e zezë’ e sezonit veror turistik duket se janë kompanitë ajrore që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Sipas të dhënave të raportuara nga Autoriteti i Aviacionit Civil vetëm në muajt korrik dhe gusht u shënuan 95 vonesa apo anulime fluturimesh, shifra që janë dukshëm më të larta në krahasim me muajt e parë të vitit. Kjo pasi për periudhën janar – qershor nga këto kompani janë shënuara në total 65 anulime apo vonesa mbi 2 orë, që gjithsesi mbetet një shifër problematike.
Sipas Aviacionit Civil gushti shënoi rekordin, por të dhënat tregojnë se korriku shënoi vonesat dhe anulimet më të shumta me 51 të tilla, nga 44 që u regjistruan në gusht.
‘Fly Ernest’, ‘Albawings’ dhe ‘Blue Panorama’ janë tre kompanitë që kryesojnë listën në drejtim të performancës negative. Ndërkaq, sa i takon të drejtave të pasagjerit, të cilët janë të prekurit kryesorë nga kjo performancë, Autoriteti i Aviacionit Civil raporton se për 10 muajt e parë të vitit janë 900 formularë ankimimi të plotësuar nga 1500 persona, të cilët kanë të drejtën e kompensimit në masën e 250 eurove për dëmin e shkaktuar.
Ndërkaq, ndryshe nga raportet e tjerë të përmuajshëm të AAC, në këtë buletin nuk është bërë publik numri i pasagjerëve që kanë arritur ta përfitojnë këtë kompesim.