Përdorimi mesatar i telefonit celular ka arritur nivelin rekord prej 197 minutash në muaj gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Sipas statistikave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, përdorimi mesatar i telefonit celular për thirrje u rrit me 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në fakt, rritja e përdorimit mesatar nuk ka ardhur nga zgjerimi i trafikut, por kryesisht nga pakësimi i numrave celularë aktivë. Në fund të muajit qershor, numri i kartave SIM aktive ka rënë me 22% krahasuar me një vit më parë.
Kjo është një tendencë që ka nisur prej disa vitesh, pasi AKEP ndaloi diferencimin e tarifave për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit. Gradualisht, përdoruesit po heqin dorë nga mbajtja e disa numrave celularë dhe në tremujorin e dytë të këtij viti numri i kartave SIM aktive ishte më i vogël se numri i përgjithshëm i popullsisë, për herë të parë pas shumë vitesh.
Nga pikëpamja statistikore, kjo po rezulton në rritje të përdorimit mesatar për çdo numër celular aktiv. Përdorimi është rritur jo vetëm për thirrjet, por edhe për shërbimet e tjera. Numri i mesazheve të shkruara për çdo përdorues aktiv arriti në 40 në muaj, në rritje me 9% me bazë vjetore. Ndërsa përdorimi i internetit arriti në 2.85 Gb në muaj, pothuajse dy herë më shumë krahasuar me tremujorin e dytë 2017. Teknologjia 4G dhe rritja e përdorimit të telefonave inteligjentë po e rrit me ritme të shpejta përdorimin e internetit me brez të gjerë nga telefonat celularë.