×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

“Magjia” e TAP drejt mbarimit; Investimet e huaja bien me 70 milionë euro në tremujorin e dytë

Hënë, 10 September 2018 13:09

Pas rritjes së fortë në tremujorin e parë të vitit, investimet e huaja direkte janë ngadalësuar në periudhën prill-qershor, duke reflektuar faktin që punimet për ndërtimin e gazsjellësit TAP po shkojnë drejt fundit.

Statistikat e bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se në tremujorin e dytë, investimet e huaja direkte ishin 212 milionë euro, me një rënie prej 70 milionë eurosh në krahasim me tre muajt e parë të vitit, kur ato arritën në nivelin rekord të dy viteve të fundit, duke shënuar 282 milionë euro.

Niveli i lartë në tremujorin e parë kishte të bënte me faktin që punimet për gazsjellësin TAP ishin në një terren të vështirë, teksa tubat kaluan poshte lumenjve në zonën e Skraparit, sipas burimeve zyrtare nga TAP, dhe njëkohësisht u ndërtua dhe stacioni i mikrokompresorëve të Çorovodës.

TAP është investimi më i madh në Shqipëri. Sipas burimeve zyrtare nga kompania, të bërë të ditura për Monitor, investimi total për ndërtimin e segmentit të gazsjellësit TAP në Shqipëri përllogaritet në rreth 1.5 miliard euro. Këtu përfshihen të gjitha kostot që nga tubat, ndërtimi i stacionit të kompresorëve, atij të matjes, valvulat e bllokimit, pajisjet, makineritë, dhe çdo gjë tjetër për ndërtimin e gazsjellësit.

Sot, rreth 80% e punimeve totale për ndërtimin e segmentit tokësore të TAP në Shqipëri është i përfunduar. Në muajt në vazhdim ndërtimi do të fokusohet tek segmenti më i vështirë i të gjithë gazsjellësit, në malin e Ostrovicës në rreth 2100 metra mbi nivelin e detit. Këtu ndodhet edhe pika më e lartë e të gjithë gazsjellësit TAP nga kufiri turko-grek e deri në Itali.

Duke lëvizur nga pika më e lartë tek pika më e ulët, në Shtator pritet të fillojnë punimet para-përgatitëse për pikën e daljes së tubacionit në det e për të vijuar me tej punimet për segmentin detar nga anija.

Pavarësisht ngadalësimit në tremujorin e dytë, për 6 mujorin, investimet e huaja arritën në total në 494 milionë euro, me një rritje prej 28% në krahasim me 6 mujorin e parë 2017, si rrjedhojë e intensifikimit të punimeve për gazsjellësin. Por për fat të keq, ky projekt është drejt mbarimit, duke e lënë vendin “zbuluar” ndaj investimeve të huaja. Institucionet e huaja ndërkombëtare kanë kërkuar vazhdimisht që investimet e huaja të diversifikohen, drejtor sektorëve të teknologjisë së informacionit dhe atyre me vlerë të shtuar të lartë, por deri tani pjesën më të madhe të tyre e ka përbërë energjia (punimet për gazsjellësin TAP dhe HEC e Devollit), nafta (që kryesisht është nxjerrje e naftës bruto nga nëntoka e pasur dhe jo përpunim) , dhe bankat (që më së shumti është shtimi i kapitalit, si rrjedhojë e kërkesave rregullatore të Bankës së Shqipërisë).

Sipa raportit të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, që i referohet tremujorit të parë, investimet e huaja ishin kryesisht të përqëndruara në sektorin e energjetikës (në masën 62%), në sektorin e hidrokarbureve (me rreth 10%) dhe atë të ndërmjetësimit financiar (në masën 8%). monitor

Capture-13.png

 

 

Modifikuar më Hënë, 10 September 2018 13:13
Login to post comments