Me 15 shtator 2018, ditën e shtunën në mëngjes, ndërroi jetë në një spital të Nju-Jorkut, shkrimtari Makensen Bungo. U lind më 14 prill 1926, në Elbasan. Kreu shkollën Normale të këtij qyteti dhe më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjuhë-Letërsi, me korrespondencë(pas burgut).
U arrestua në vitin 1946 dhe më 12 tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Elbasanit e deklaroi fajtor për «krime kundër shtetit» dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë dhe konfiskimin e pasurisë. U lirua në vitin 1950.
Makensen Bungo provoi torturat e egra të hetuesisë së diktaturës komuniste dhe pa vdekjen me sy në kënetën e Maliqit, në kampin famëkeq të Vloçishtit etj.
Gjatë kohës së diktaturës nuk u lejua që të botojë. Makenseni edhe kur ia dhanë të drejtën e mësimdhënies sipas diplomimit e dërguan në zona të thella në fshatra të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Fierit.
Makensen Bungo, pas rënies së komunizmit, është autor i disa librave si Monografia për Abaz Kupin (2001), “Këneta e Vdekjes” (u botua më 1996 dhe u ribotua edhe 5 herë- më 2009 u botua në gjuhën angleze), etj.