Samiti i BE-së - Në vendnumëro për politikën ndaj refugjatëve

Premte, 21 September 2018 18:00

BE në Salcburg sërish konstatoi, që lidhur me politikën ndaj refugjatëve ka unitet në disa aspekte, por në thelb vazhdon të ketë mosmarrëveshje. Pavarësisht atmosferës së mirë bisedimet nuk shënuan asnjë përparim.

Kancelarja mjedisin, ku u zhvillua samiti - ndërtesa historike si skena tradicionale e festivalit të Salcburgut - e vlerësoi si "një skenë e jashtëzakonshme" për bisedimet me kolegët. Mos vallë këtu kishte edhe pak ironi? Sidoqoftë atmosfera ishte e mirë, ushqimi i pasur. Vetëm se përparime bisedimet nuk sollën. Madje as muzika në Mozarteum ditën e enjte (20.09), ku vazhduan bissdimet, nuk e favorizoi gjetjen e një konsensusi. Mosmarrëveshjet mes vendeve, të cilat synojnë unilateralizëm dhe izolim total si dhe vendeve, që janë më fleksibël, duken të pakapërcyeshme.

Organizatori i takimit, kancelari austriak Sebastian Kurz duke u shprehur me tone entuziaste donte të krijonte përshtypjen, se bisedimet e fundit me kryeministrin egjiptian al-Sisi kanë qenë konstruktive. Sipas tij, duhet të thellohet bashkëpunimi me të dhe të tjera vende afrikano-veriore. Egjipti vërtetë nuk është i gatshëm të ndërtojë kampe refugjatësh për BE-në - kancelari austriak gjithmonë i shmanget termit "qendra zbarkimi", ndonëse është ai vet që ka hedhur këtë ide në verë. Kajro mban qendrim shembullor në këtë drejtim, anijet me migrantë nuk i lejon të dalin në det, por i kthen njerëzit menjëherë në vendet e origjinës.
Të gjithë shkojnë në Egjipt
Dashuria e re e zbuluar për Egjiptin dhe qeverinë ushtarake të tij arrin deri aty, sa në fundjavë presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk u nis për atje për të folur mbi një bashkëpunim më intensiv. Eshtë e pashpjegueshme se si Kajro duket se po kthehet në një Mekë të politikës së BE-së për refugjatët.
Kancelarja gjermane është disi më e qartë, duke lënë të kuptohet, se në ç'drejtim do të shkojë udhëtimi, kur thotë, se jemi në bisedime me Egjiptin, Tunizinë, Marokun dhe Libinë. Në fund BE-së i duhen "marrëveshje dhe akorde të ngjashme si me Turqinë". Çështja për strehimore apo qendra pritjeje diku në Afrikën e Veriut duket tashmë të jetë e mbyllur - nuk ka asnjë vullnetar për këtë, thuhet nga pala gjermane.
Në përgjithësi qëllimi është, sikurse e konfirmoi edhe kancelarja Angela Merkel, që migracioni ilegal drejt Europës duhet të ndalet në Afrikën e Veriut. Sebastian Kurz e konsideron veten në këtë drejtim si paraprijës në BE dhe e ndien tërësisht të konfirmuar politikën e tij të ashpër. Por në këtë drejtim nuk diskutohet më, nëse dhe si ata që kanë të drejtë për azil do të mund ta gjejnë rrugën për në Europë. Kancelari austriak thotë, se bazohet tek "rilokacioni" në strehimoret e OKB-së në Lindjen e Mesme.
Në fund të tetorit do të zhvillohet një tjetër samit i BE-së me vendet afrikane. Ky bashkëpunim ndërkohë është një elemnt i rëndësishëm i startegjisë europiane. Sidoqoftë kancelarja gjermane pranon me sinqeritet, se duhet menduar, nëse BE-ja i përdor si duhet paratë dhe ndjek nismat e duhura për zgjidhjen.
Grindje për Frontex-in
Ndonëse të gjithë janë të një mendimi sa i përket izolimit të Europës - ka grindje të mëtejshme për rrugët që duhen ndjekur. Komisioni i BE-së pati propozuar përforicimin e trupës së mbrojtjes kufitare në BE Frontex me 10.000 forca shtesë, rritjen e mjeteve financiare dhe të komptencave. Këtë e kanë pranuar vendet si Gjermania. Por të tjera vende si Hungaria nuk duan ndërhyrje nga jashtë, ato duan që t'i mbrojnë vet kufijtë e tyre dhe të mos heqin dorë nga sovraniteti.
Megjithatë në këtë drejtim mund të avancohet, thuhet nga pala gjermane, sepse rreth 20 vende janë të gatshme të bashkëveprojnë. E qartë është, që nëpunësit e Frontex-it nuk mund të dërgohen përkundër vullnetit të vendit përkatës. Po ashtu është e hapur se sa para ka për këtë dhe cilat vende do të dërgojnë nëpunës kufitar. Për këtë do të gjendet një zgjidhje deri në fund të vitit.

Modifikuar më Premte, 21 September 2018 18:10
Login to post comments