Dezinsektimi me fushata që “ha” fonde! Mushkonjat ngelen një shqetësim, sidomos në zonat bregdetare

Diel, 23 September 2018 12:40

Gjatë sezonit të verës një nga shqetësimet që shoqëron pushuesit dhe jo vetëm pranë zonave bregdetare është edhe pickimi nga mushkonjat. Edhe pse shteti shqiptar ka pesë vjet që u ka shpallur “luftë” mushkonjave, ende nuk ka fituar asnjë betejë. Nga viti në vit bëhet dezinsektimi i zonave bregdetare dhe urbane, por mushkonjat nuk janë shfarosur ende, madje me pickimet e tyre duket se janë më të “forta” se dikur. Procesi i dezinsektimit këtë vit është paraprirë nga monitorimi entomologjik për praninë e vatrave të rritjes së larvave të mushkonjave në të gjitha zonat nga Butrinti dhe zonat përreth, duke vazhduar me zonat bregdetare deri në Velipojë, duke përfshirë edhe zonat urbane.

Metodat e dezinsektimit nga ajri dhe toka dhe me disa etapa nuk kanë dhënë rezultate e pritura. Zona që përballet me “tufat” më të shumta të mushkonjave është Divjaka. Vend nga i cili nisi edhe për vitin 2018 procesi i dezinsektimit në zonat turistike dhe ato urbane, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me ekspertët e shëndetit publik. Sipas ekspertëve entomologë, është me rëndësi të madhe fillimi i procesit të dezinsektimit që në fazat e para larvare. Eksperti entomolog Elton Rogozi e ka vlerësuar si një nisje pozitive faktin se ky proces nisi që në fillim të muajit mars, pasi jo vetëm që garanton një sukses në luftën ndaj mushkonjave por edhe parandalon trasmetimin e sëmundjeve infektive.
“Ky proces ka një rëndësi kombëtare duke qenë se mushkonjat përbëjnë faktorët më të rëndësishëm në transmetimin e sëmundjeve infektive përpos faktit që janë ndër insektet më shqetësuese. Nisja e procesit të dezinsektimit në fillim të sezonit është e një rëndësie të veçantë sepse kap fazat e para larvare që kanë çelur si rezultat i vezëve dimërore. Sa më shpejt që të nisë procesi aq më shumë rezultate do kemi,” shprehet Rogozi. Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar 144 zona të cilat janë trajtuar për zhdukjen ose reduktimin e mushkonjave. Deri në mesin e muajt korrik 2018, janë kryer rreth 104 trajnime sipas ministres së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
“Procesi i dezinsektimit është kryer në Velipojë, Shëngjin, në Tale për herë të parë, në Durrës dhe në zonat urbane, edhe në Divjakë ku ka qenë problematikë në të shkuarën. Vijon të kryhet përgjatë plazheve të Vlorës, Qeparos, Borshit, Ksamilit. Janë kryer 104 trajtime në këto zona dhe do vijojnë të kryhen 40 të tjera. Ky proces do të monitorohet edhe nga Instituti i Shëndetit Publik që të mos kemi sëmundje infektive”, tha Manastirliu. Por, pavarësisht të gjitha përpjekjeve, mushkonjat vijojnë të jenë prezente në zonat bregdetare. A.B pushuese në zonën e Ksamilit shprehet se në zona të ndryshme të vijës bregdetare ka sasi të konsiderueshme të mushkonjave. “Kam djalin dy vjeç dhe duket sikur mushkonjat gjurmojnë vetëm atë. Kam më shumë frikë nga infeksionet që mund të shkaktojnë. Të them të drejtën, kam tre ditë këtu por duket sikur kam një muaj me aq shumë pickime sa i janë bërë të voglit.”
Për mushkonjat ankohen edhe pushuesit gjatë vijës bregdetare të Durrësit e të Kavajës. Dezinsektimi synon të reduktojë deri në masën 80% praninë e tyre, por edhe për këtë sezon realiteti tregon se luftën e kanë fituar përsëri mushkonjat. Në vendin tonë janë të evidentuar 43 lloje mushkonjash. Disa janë thjesht shqetësuese ndërsa të tjerat përgjegjëse për transmetimin e sëmundjeve infektive. Rreth 13 lloje mushkonjash janë anofele nga të cila transmetohet sëmundja e malarjes.
Miliona lekë nuk zhdukin dot”mushkonjën”
Viti 2016 shënon edhe vitin e parë që “mushkonjat” u dhanë me tender. Në fakt, ishte kjo hera e parë që Ministria e Shëndetësisë organizoi një tender për dy vite me një vlerë 1.6 miliardë lekë për zhdukjen e mushkonjave. Kështu, pas përcaktimit të zonave të “pushtuara” nga mushkonjat, iu la në dorë privatit që të merrej me asgjësimin e tyre kundrejt një pagese të konsiderueshme të marrë nga buxheti i shtetit. Nëse sheh kontratat e asaj periudhe, dezinsektimi do të bëhej në të gjitha zonat problematike dhe do të sigurohej një zhdukje e mushkonjës. Ekspertët kanë përcaktuar se e nevojshme është që të ndërhyhet me dezinsektim në Shkodër (zonë urbane), Velipojë, Lezhë (zonë urbane) dhe Shëngjin, Tirana në disa zona urbane, plazhet e Golemit, Qerretit dhe Spillesë. Gjithashtu, do të spërkaten zonat e Shën Pjetrit dhe Gjiri i Lalëzit, si dhe disa zona urbane në Durrës dhe plazhi “Plepa”. Dezinsektimi është përcaktuar edhe  për rrethin e Fierit  në zonat urbane dhe në plazhe si dhe në Divjakë.
Operatorët privatë kanë ndërhyrë edhe në Vlorë e kryesisht spërkatje për mushkonja, janë bërë  në Radhimë, Orikum, Dhërmi-Drimadh, Jal, Himarë, Livadh, Qeparo, Borsh, Bunec, Çukë dhe Ksamil. Por, pavarësisht kësaj në fund të vitit 2017 u pa se nuk ishte bërë asgjë me mushkonjat e kështu hap një tjetër tender në vlerën e 80 milionë lekëve. Edhe për një herë tjetër spërkatja e tyre iu besua privatëve. Por mushkonjat vijojnë të tregohen kokëforte dhe janë ende të pranishme në zonat bregdetare, si një kërcënim i heshtur për të gjithë pushuesit. Ndërkohë, që edhe gjatë këtij viti janë akorduar përsëri 80 milionë lekë për të mundur këtë “përbindësh” me emrin mushkonjë. Edhe pse sipas ministres Ogerta Manastirliu pjesa më e madhe e zonave janë spërkatur dhe pjesa e mbetur do të përfundojë deri në shtator, përsëri po përballemi me dështim. Ndoshta, ka ardhur koha që të shohim se ku çalon puna, tek preparatet e përdorura për spërkatjen kjo e fundit po trajtohet si një biznes i sigurt për çdo vit.
Ethet e Nilit “përplasin” institucionet
Ke dhimbje koke, temperaturë të lartë, ethe dhe lodhje?! Këto janë shenjat e një gripi të zakonshëm por edhe mund të të paralajmërojnë se je prekur nga virusi “Ethet e Nilit Perëndimor” që shkaktohet nga pickimi i mushkonjave. Ky virus po përhapet me shpejtësi në vendet fqinje, duke përbërë rrezik edhe për Shqipërinë. Deri tani, nga Ethet e Nilit Perëndimor rastet më të shumta janë shënuar në Serbi, ku 100 persona janë sëmurur dhe 9 të tjerë kanë vdekur. Kjo situatë ka prekur edhe Rumaninë, Hungarinë dhe Italinë, ndërkohë që në Greqi gjendja paraqitet më emergjente. Në shtetin grek janë raportuar të paktën 55 raste si bartës të këtij virusi, ndërsa 2 persona kanë humbur jetën. Sipas Institutit Shqiptar të Shëndetit Publik “në Shqipëri ky virus ende nuk është shfaqur, por nga ana tjetër u bëhet thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes nga pickimi i mushkonjave pasi nuk ka vaksina për këtë virus”. Kaq ka mjaftuar që ish-ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili të reagojë duke akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për paaftësi në përcaktimin e rasteve kur vendi është i rrezikuar nga një epidemi. Sipas Vasilit, “edhe në rastet e rreziqeve epidemike me peshë në shëndetin publik si Fruthi  dhe Ethet e Nilit Perëndimor, reagimet e Ministrisë së Shëndetësisë kanë qenë të pakta”. Për “Ethet e Nilit”, Ministria lau duart me një mesazh thuajse anonim që dallonte atë nga të gjithë vendet e Ballkanit që e trajtojnë me shumë përgjegjësi në mënyrë të përditshme këtë emergjencë të shëndetit publik”. Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka zgjedhur që të bëjë një reagim më të ftohtë në lidhje me këtë situatë duke e “hedhur topin” tek i vetmi institucion përgjegjës në vendit tonë që është ISHP. Ndër të tjera ministrja Manastirliu shkruan se: “Instituti i Shëndetit Publik, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është i vetmi institucion shtetëror, që ka autoritetin dhe ekspertizën e nevojshme, për t’u shprehur në lidhje me epidemitë. ISHP është shprehur me një qartësi shembullore, në lidhje me Ethet e Nilit Perëndimor. Për masat e marra, për mungesën e këtij virusi gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri, për vendosjen e survejancës dhe për forcimin e kapaciteteve laboratorike për diagnostikimin e tij. Ekspertët e MSHMS dhe ISHP-së po e bëjnë detyrën e tyre: janë vigjilentë dhe në gatishmëri të plotë, kundër epidemive si Ethet e Nilit, apo Fruthit.” Ndërkohë që akuzat shpesh herë në vendin tonë janë edhe politike, deri në një moment të caktuar, kur institucionet të përcaktojnë shkallën e rrezikshmërisë që i kanoset vendit, është më mirë që gjithsecili nga ne të ruhet nga pickimi i mushkonjave.  Entela Barjamaj/SCAN Magazine

Modifikuar më Diel, 23 September 2018 12:41
Login to post comments

Lajmet e fundit

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

Globi

Paditet kryebashkiaku i Nju Jorkut/ Hetimi federal dhe dyshimet për financimin e fushatës

    Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams është paditur për të paktën një akuzë penale dhe është vënë nën hetim federal. Adams do t'i dorëzohet autoriteteve në fillim të javës së ardhshme...

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

Politikë

Kraja: Degradim i shtetit ligjor! Korrupsioni i Ramës dihet nga ndërkombëtarët, por ata shpeshherë e mbyllin një sy

    I ftuar në edicionin e pasdites në SYRI TV me moderatorin Edvin Parruca për të folur për shpërqëndrimin që po i bën Rama shqiptarëve me 'Shtetin Bektashi', mes skandaleve që...

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Politikë

Xhuljan Guçe: Qytetarët e Korçës nuk pranojnë më premtime “pe leshi”

Nga Xhuljan Guçe: Në një deklaratë të fundit, drejtuesi i Partisë Socialiste në Korçë, z. Niko Peleshi, njoftoi se partia e tij synon të sigurojë 6 mandate në këtë qark, duke...