Gjoba për mosdeklarimin e pasurisë dhe “bilbilfryrësit”

Hënë, 24 September 2018 07:01

Nga janari në fund të gushtit Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave ka arkëtuar në total 22 milionë lekë gjoba, që janë vendosur si efekt i dy ligjeve që zbaton ky insitucion. Së pari lidhur me kontrollin që iu bëhet të zgjedhurve dhe nëpunësve civilë dhe së dyti ai për “bilbilfryrësit” apo ligji për sinjalizuesit. Referuar raportimit të ILDKPKI për 8 mujorin janë arkëtuar në mënyrë vullnetare gjobat për 40 raste çka përbën vlerën 6.6 milionë lekë.

Por pjesa më e madhe e atyre që janë gjobitur nuk preferojnë mënyrën vullnetare të pagesës kjo bën që ekzekutimet nga përmbarimi të zënë edhe pjesën më të madhe të të ardhurave nga ky zë.

“Ekzekutimi i detyrueshëm nga zyrat përmbarimore të rretheve, për gjobat e vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore si dhe vendimeve gjyqsore që kanë marrë formë të prerë. Për këtë periudhë të vitit janë ekzekutuar tërësisht 126 raste në vlerën 19.6 milionë lekë nga të cilat 100 raste në vlerën 15.5 milionë lekë kanë kaluar në llogari të të ardhurave të ILDKPKI. Arkëtimi në favor të ILDKPKI i 26 rasteve të tjera të cilat përbëjnë vlerën 4.2 milionë lekë është në process likujdimi. Të ardhurat e tjera janë respektivisht 46 mijë lekë” thuhet në raportin e ILDKPKI për 8 mujorin e institucionit.

Të ardhurat që gjenerohen nga gjobat kalojnë sipas parashikimeve në kuadrin ligjor në buxhetin e shtetit.

I njëjti dokument bën me dije se në kahun e shpenzimeve është realizuar në masën 95.4 për qind fondi i pagave që i përgjigjet një organigrame me të paktën 70 punonjës. Për hir të fluksit që ka institucioni me kontrolle tek punonjësit është shtuar edhe një tjetër me kontratë të përkohshme deri në fund të vitit 2018.

Po kështu ILDKPKI sjell në vëmendje edhe një gup tjetër shpenzimesh që lidhet me investimet e këtij institucioni që deri në fund të gushtit ishte realizuar në masën 92 për qind.

Login to post comments