Dhuna mbi Xhisielën treguesi se shteti ligjor vdiq

Tuesday, 02 October 2018 07:03

Nga Ina Zhupa

Unë vërtet përfaqësoj Partinë Demokratike por këtu nuk kam ardhur sot që të forcoj rradhët e partisë apo atë që është identiteti i të djathtës.
Unë kam ardhur sepse i jam bashkuar një kauze që në të vërtet ka të bëjë me politikën. Në parlament ka kriminelë, në parlament ka njerëz të lidhur me krimin, në parlament ka horra, në parlament ka individ për të cilit është i nevojshëm vettingu në politikë, por asnjëri nga këta nuk është anëtar dhe nuk përfaqëson Partinë Demokratike.
Unë sot nuk do doja të isha këtu në fakt sepse nuk do doja që të ishte dhunuar një grua, nuk do doja të isha këtu, sepse nuk do doja që shteti ligjor të kishte vdekur. Por jam këtu dhe jam shumë e lumtur që shoqëria civile inicioi dhe organizoi këtë protestë, në të cilën më bën edhe mua pjesë me aq sa munda të kontribuoj edhe në emër të forcës politike që përfaqësoj. Jo për ta kapur protestën, jo për ta përdorur protestën, po për të qënë të gjithë bashkë sa herë ndodh diçka, e cila ja vlen që të përballemi me shtetin për të thënë ca të vërteta.
E vërteta është që shteti ligjor vdiq! Dhe unë ju ftoj që në vazhdimësi të fjalës sime të mbaj një minutë heshtje për shtetin ligjor që ka vdekur.
Shteti ligjor vdiq, kur Xhisiela shkoi në tre komisariate dhe nuk pranuan t’ia mernin dëshminë e saj. Shteti ligjor vdiq, kur provat ligjore nuk u mblodhën sipas ligjit në kohën e duhur. Shteti ligjor vdiq, kur një komisar si Emiljano Nuhu nuk arriti dot të merrte të drejtën për të ndjekur një denoncim deri në fund. Shteti ligjor vdiq, sepse asnjëri nga ne nuk do ta kishim marr vesh këtë ngjarje dhe nuk do ishte arrestuar abuzuesi nëse nuk do të ishte sakrifica e një komisari, që është në azil sot dhe etiketohet horr që do ta ndjeki ky kryeministri këmba pas këmbës.
Ne nuk do të ishim këtu sot, nëse sakrifica e tij dhe kurajo e tij për ta bërë publike dhe për të qëndruar dëshmisê asaj vajze do mungonte për ti shkuar së drejtës deri në fund. Ashtu si nuk do të ishim këtu sot nëse një gazetar profesionist i lirë i pa blerë, nga ky pushtet dhe kjo mafia, si Basir Çollaku, nuk do ta kishte bërë publike atë. Dhe ju ftoj për një duartrokitje për zotin gazetar, edhe kushdo gazetar, që sot na mbështet, duke mbajtur mikrofon, duke qëndruar e duke bërë statuse në facebook, duke qënë pjesë e sensibilizimit dhe përkundrejt atyre gazetareve që mundohen ta fshehin këtë si histori banale mes dy të dashurve, si një histori banale xhelozie. Në fakt është dhunë, është përndjekje, në fakt është krim i veshur me pushtet. Dhe, në qoftëse nuk do të ishte djalë deputeti, ai zotëria do të ishte arrestuar, sepse këtu po arrestohen fëmijët që protestojnë për pronën e tyre dhe pavarësisht se janë të mitur dhe shteti gjendet direkt aty e i merr, duke shkelur ligjin.
Sot përdhunimi, ndjekja, dhuna janë më shumë se sa politike, sepse janë të veshur me gjithë pushtetin, që i ka dhënë Rama dhe qeveria e tij këtyre njerëzve.
Unë nuk mund t’i bëj thirrje për mbrojtje këtij shteti. Çfarë t’i mbrojë ky shtet Xhisielës kur i gjithi është i kapur, por unë kam një thirrje për mbrojtje drejtuar një ambasadori, të cilit ende i besoj shumë, ambasadorit të Bashkimit Europian z.Luigi Soreca. I bëj thirrje, që të sigurojë një nga vendet anëtare të BE mbrojtje dhe siguri fizike, morale, psikologjike për Xhisielën motrën dhe nënën e saj. Nesër këtë kërkesë do ta bëj edhe zyrtare. Ju bëj thirrje, që mos të dëgjoni asgjë që është e falsifikuar dhe asgjë që i detyrohet asaj vajze të thotë tani. Dëshminë e saj ajo e ka dhënë, e ka dhënë pikërisht, atëhere, kur ekspertiza mjeko -ligjore vërteton dhunë në trupin e saj. Çdo gjë tjetër është manipulim, është frika e saj për jetën që flet, ashtu si çdo kush nga ne do të bënte, sepse frika këtu ka kapluar vëndin. Por ne sot po
tregojmë që ne mund t’ia dalim, mund ta mundim të keqen po të jemi të shumtë.
Unë përpara shpërndava disa tullumbace të zeza, të cilat i keni në dorë, unë e lashë sepse unë se kisha komode për të folur. Ato tullumbace të zeza personifikojnë krimin të zezën, të keqen, pushtetin e veshur me të gjitha veset e kësaj shoqërie. Unë ju ftoj, që tani në shenjë rrebelimi të tregojmë që ne jemi më të fortë se krimi, më e fortë se e zeza që na ka kapluar dhe t’i plasim ato tullumbace dhe të tregojmë forcën tonë se ne do të qëndrojmë deri sa tja dalim; do të jemi këtu dhe do të fitojmë mbi pushtetin e veshur me krim. Ju faleminderit të gjithëve.
Fjala e zëdhënëses së PD në protestën qytetare

Login to post comments