Të rinjtë e Alternativës për Gjermani AfD kanë shkaktuar këto ditë disa skandale. Ka pasur deklarata me të cilat justifikohet madje edhe ndërhyrja e Hitlerit në Poloni.
Ish-shefi i të Alternativës së të Rinjve (Jugend Alternative - JA) në Saksoni të Poshtme Lars Steinke u bë i njohur në fillim të gushtit me një postim në Facebook. Ai e quante atentantatorin në tentativë kundër Hitlerit, Claus Schenk von Stauffenberg, si "tradhëtar". Steinke e ka humbur postin e tij si drejtues i partisë në këtë land.
Afërsia e Steinkes me mendimet e nacionalsocialistëve u bë e njohur me këtë postim. Një deklarim revizionist i tij ka mbërritur edhe në Deutsche Welle nga burime të brendshme të partisë. Në një deklaratë tonike Lars Steinke thotë para një kolegu të tij se sulmi i nazistëve në Poloni, në shtator të vitit 1939, ka qenë "falsifikim i historisë". Hitleri "ka qenë i detyruar ta ndërmarrë këtë sulm". "Çdo politikan tjetër do të vepronte si Hitleri dhe do të ndërhynte në Poloni" - një argumentim i ngjashëm me atë të kohës së propagandës së regjimit të Hitlerit. Në pyetjen e DW, Steinke nuk deshi të deklarohet për këtë inçizim tonik. Ndërkohë që as AFD nuk u është përgjigjur kërkesave të DW për prononcim.
Steinke nuk është i vetmi
Rasti Steinke nuk është i vetmi. Organizata e të rinjve të AfD po radikalizohet gjithnjë e më shumë. Edhe shërbimet e brendshme sekrete në vend kanë filluar të veprojnë kundër tyre. Në dy lande gjermane - Bremen dhe Saksoni e Poshtme - JA po vëzhgohet nga shërbimi sekret. Kufijtë e organizatës së të rinjve në AfD me ekstremistët e djathtë nuk janë të qartë, ndonëse kjo organizatë po përpiqet të ruajë nga jashtë një lloj fasade qytetare.
Udhëheqësi i të rinjve në AfD Damian Lohr paraqitet "si njeri i pastër". Ai e kritikon mbikëqyrjen e organizatës së tij nga Mbrojtja Kushtetuese, me argumentimin se ato janë të "pakuptueshme". "As JA në lande dhe as ajo në nivelin e federatës nuk janë organizatë armiqësore ndaj Kushtetutës" - thuhet në një kumtesë për media. Lohr thotë se Steinke e ka humbur postin e tij dhe kundër tij është hapur një procedurë brenda partisë. "Kjo dëshmon se tendencat antikushtetuese në partinë tonë ndiqen në mënyrë konsekuente".
Lohr, i cili ka drejtuar JA deri në shkurt të vitit 2018, nuk ka pasur një qëndrim konsekuent për një kohë të gjatë - si rrjedhojë, deklarata e Steinke për sulmin e Gjermanisë së Hitlerit në Poloni nuk ka pasur kurfarë pasojash. Sipas një burimi të brendshëm, edhe drejtuesi i JA e di për këtë inçizim tonik - por deri tani nuk është ndërmarrë asgjë. Vet Steinke i tha DW se nuk llogaritë me largimin e tij nga partia apo nga kryesimi i partisë në land. Ai do të kërkojë revizion, thotë Steinke.
Mbulimi i të vërtetës
Drejtuesi i JA Lohr ka kontribuuar edhe vet në radikalizimin e organizatës së të rinjve. Në një takim me Damian Lohr në verë, ekipi i reporterëve të DW ka përjetuar edhe vet përpjekjet për mbulimin e lidhjeve të tyre me skenën ekstremiste. Lohr asokohe vizitoi Kongresin Federal të organizatës së të rinjve në qytetin Eisenach. Në intervistë me DW ai siguroi se "nuk ka asnjëlloj bashkëpunimi me organizatën Identiteti". Grupi i djathë ekstrem, racist Lëvizja Indentitetit (IB) po vëzhgohet nga shërbimi sekret. Pak më parë ai ishte filmuar nga një ekip i kameramanëve të "Archetyp GmbH", duke bërë një film promocional për JA. Filmi mund të shihet edhe në faqen e internetit. Pronar i sipërmarrjes është Philip Stein, themelues i lëvizjes "Ein-Prozent" (Një përqind) - një "platformë e rezistencës". Një lloj "OJQ djathtiste", e drejtuar në masë të madhe nga përfaqësuesit i Identitetit. Edhe një shembull: Felix Koschkar. Zëvendësi i arkëtarit në JA, angazhohet në "Platformën Patriotike", një shoqatë nacionaliste-popullore e lidhur me Identietin. Koschkar punon në "Shtëpinë e Lëvizjes së Identitetit", një qendër e ekstremistëve të djathtë që punon me apartamente dhe zyra në Sachsen-Anhalt. Afrimi i grupeve ekstremiste po zhvillohet edhe në bazën e të rinjve të partisë. Kështu shkruan ish-anëtarja e kryesisë së partisë, Franziska Schreiber, në librin e saj "Inside AfD", pas largimit të saj nga kjo parti. Ajo përshkruan procesin e afrimit të JA me organizatat ekstremiste.
Mendimet e saj i mbështesin edhe ekspertë të tjerë. "Vërtet po përhapet një lloj bashkëpunimi mes JA dhe lëvizjes së Identitetit", thotë eksperti kryesor i skenës ekstremiste të djathtë në Gjermani, Hajo Funke, në bisedë me DW.
Përzierja e kryesisë federale
Edhe në AfD janë shkrirë kufijtë me grupet e ekstremizmit të djathtë. Në Gjermani kaherë ka nisur një debat nëse AfD duhet të mbikëqyret nga Mbrojtja Kushtetuese. Politikanët mendojnë se lidhjet e partisë me grupet ekstremiste janë tepër të mëdha.
Një debat i madh po zhvillohet edhe brenda partisë për distancën dhe afrimin me radikalët e djathtë. AfD është distancuar nga "Lëvizja e Identitetit", në vitin 2016 pas bërjes publike të mbikëqyrjes së kësaj lëvizjeje nga shërbimi sekret. Ky distancim do të duhej të vlente për partinë dhe të rinjtë e kësaj partie. Zëdhënësi i AfD, Jörg Meuthen tha për DW se "ai që bashkëpunon me Identitetin, nuk ka vend në këtë parti". Kryesia e AfD po përpiqet t'i zbusë tendencat e radikalizimit tek të rinjtë e partisë. Damian Lohr ka kërkuar që organizatat e partisë në dy landet që po mbikëqyren nga Mbrojtja Kushtetuese të përjashtohen nga partia. Vendimi do të merret në tetor, në kongresin e AfD. Kryesia e AfD duhet të veprojë, sepse një organizatë partiake e të rinjve e mbikqyrur nga shërbimi sekret, nuk është e pranueshme as për këtë parti. Kryetari i partisë Gauland ende po përpiqet të manovrojë. Brenda partisë ata dërgojnë sinjale se nuk do të dorëzohen para shërbimit sekret, ndërsa jashtë dërgohet sinjale se ata janë konsekuent në luftën e tyre kundër ekstremistëve të djathtë.