Një shqiptar është dënuar me 9 muaj burgim në Angli dhe 15 muaj heqje patente, pasi u kap me drogë në një makinë, pa patentë dhe sigurim mjeti. Sipas prokurorisë, Shkëlqim Meta, 33 vjeç, kishte rolin e korrierit të drogës.
Në gjykatën e shkallës së parë, akuza sqaroi se arrestimi i Metës dhe i një tjetër personi, është kryer më 2 shtator nga policia e “North Yorkshire”. Efektivet gjetën në makinën që drejtohej nga shqiptari 7.32 kg kanabis. Droga, nëse shitej me doza të vogla vlerësohet se do të gjeneronte rreth 70.000 paund.
Meta kishte qenë në Angli për rreth gjashtë vjet, duke punuar në larje makinash dhe paguhej në KESH, pa tërhequr vëmendjen e policisë, tha në gjykatë avokati i shqiptarit. “Ai mund të dëbohet në çdo moment si një emigrant ilegal në vend”, shtoi.
Meta, me banim në Dinely Street, Gloucester, dhe origjinë nga Shqipëria, u deklarua fajtor për posedimin e kanabisit me qëllim furnizim e të tjerëve, për drejtim automjeti pa patentë dhe sigurim.