NATO-ja do të vendosë në provë në fillim të nëntorit kapacitetin e saj për të stopuar dhe shtyrë një ofensivë (hipotetike) të lëshuar kundër Norvegjisë nga Rusia, gjatë manovrave “Trident Juncture”, më i rëndësishmi i organizuar ndonjëherë nga Aleanca që prej fundit të luftës së ftohtë.
NATO-ja po tregon muskujt e saj dy muaj pas manovrave “Vostok-2018” të organizuara në shtator nga Rusia në lindjen e largët dhe të konsideruar si manovrat ushtarake më të mëdha në historinë e Rusisë, shkruan ASTH.
“Ne duhet të vërtetojmë se jemi në gjendje të mbrohemi dhe të tregojmë unitetitn tonë”, deklaroi sot admirali amerikan, James Gordon Foggo, kryekomandant i këtyre manovrave gjatë një konference për shtyp në selinë e NATO-s në Bruksel.
Rreth 50000 ushtarë, 150 avionë, 60 anije dhe rreth 10000 automjete janë angazhuar në këto manovra tokësore dhe amfibe. Ato do të fillojnë më 25 tetor dhe do të mbarojnë më 7 nëntor.