Politikëbërësit e Bashkimit Europian arritën një marrëveshje për të ulur ndotjen e makinave me 35% deri në vitin 2030, duke i ofruar nxitje zhvillimit të makinave elektrike dhe hibride. Gjermania, që këmbëngulte për një maksimum prej 30%, u tërhoq pasi fitoi mundësinë që të zhvillojë një rishikim të përkohshëm të rregullave.
Qëndrimi i Gjermanisë është mbështetur edhe nga vende të tjera prodhuese të makinave si Bullgaria, Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia. Grupi i ministrave të mjedisit deklaroi se reduktimi prej 35% i dioksidit të karbonit duhet të vijë nga nivelet që do të regjistrohen në vitin 2020.
Sipas vendimit, duhet të arrihet gjithashtu një objektiv i mesëm prej 15% deri në vitin 2025. Javën e kaluar, Parlamenti Europian votoi për një objektiv më ambicioz prej 40% deri në 2030-ën. Sipas projeksioneve, thuajse të gjitha makinat e reja të shitura në Europë pritet të jenë elektrike apo hibride pas 20 vitesh.
Raporti “Perspektiva e Tranzicionit të Energjisë”, theksonte gjithashtu se një situatë e ngjashme pritet të ndodh në SHBA deri në vitin 2040. Prodhuesit në Europë janë më pak ngurrues për heqjen e motorrave me djegie të brendshme.
Në muajin Shtator, Shoqata e Prodhuesve të Makinave në Bruksel, deklaroi se duhen më pak punëtorë për të ndërtuar apo riparuar një makinë tërësisht elektrike. “Objektivat e ashpër të emetimit të dioksidit të karbonit dhe kuotat jo-realiste të shitjeve për makinat elektrike, mund të sjellin probleme strukturore në Bashkimin Europian”, paralajmëroi Organizata në Bruksel.