Dënimi me vdekje i vëllait, Pertefit

Hënë, 22 October 2018 19:01

NGA DALIP GRECA*

....Në një gjyq ushtarak, që filloi në Vlorë, fshehur nga publiku në dhjetor të vitit 1949 e që vazhdoi dy muaj, u dënuan me vdekje vëllai i Reshat Agaj, Pertefi dhe 12 të tjerë, midis të cilëve dhe Bego Gjonzeneli, Maliq Koshena, Hamdi Gjoni e të tjerë. Lajmi që u përhap shpejt në Vlorë e shqetësoi pa masë Reshatin.Kujt t’i drejtohej për ndihmë?
Të nesërmen shkoi në shtëpi të Kadriut dhe i dha lajmin që ai e dinte fare mirë.
- E di, - i tha ai, - po ti, në emër të nënës tënde, duhet t’i bësh një lutje Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit, Siri Çarçanit, duke i thënë se ajo nuk ka ndihmë tjetër veç tij e mbase e merr lutjen parasysh.
Të nesërmen shkoi në Prokurori dhe paraqiti lutjen në emër të nënës Refo. Asnjë përgjigje.
Pas nja dy javësh shkoi prapë të takonte Kadriun, pasi kishte takuar më parë rastsisht Hysni Kapon, në një mbledhje të Frontit Demokratik, ku bënte detyrën e stenografit për gazetën. Hysniu ishte sjellë mirë, me fjalë të buta e të qeta,dhe si me çudi i tha:
- Nuk ma merrte mendja kurrë që Pertefi të bënte kaq gjëra kundër nesh; ai kishte marrë trakte në Gjirokastër, futur nën samarin e mushkës dhe i ka shpërndarë në Vlorë.
Reshati u përpoq që ta shfajsonte vëllain. I tha Hysniut se Pertefin e kanë marrë në qafë shokët e tij, por iu lut t’ia falnin jetën. Hysniu i premtoi që të mos bëhej merak për jetën e Pertefit se do të kujdesej ai vetë.
Pas një jave shkoi për të t’i kërkuar ndihmë sërish Kadriut, i cili e priti me këto fjalë:
- Ti Reshat dhe njerëzit e tu mendoni se unë e kam në dorë jetën e Pertefit? Po unë jam vetëm një oficer dhe, nëse vritem unë, ose pësoj ndonjë aksident, partia e ka hazër oficerin tjetër të më zerë këmbën. Për partinë një oficer më pak, ose një më shumë nuk ngre kandar. Ti duhet të dish se unë nuk mund të bëj asgjë për Pertefin, po nuk ndihmove ti vetë vëllan tënd.
I habitur me këto fjalë, Reshati e pyet se ç’mund të bënte më shumë për pushtetin.
Kadriu kishte vazhduar sulmin për të dalë tek plani që ata e kishin parapërgatitur:- Familja juaj, ka qenë e tëra kundër nesh dhe shtëpia jote, e dimë ne me prova dhe me fakte, ka strehuar edhe të arratisurin Lahe Nuro me shokë.
Reshati i tha se gjëra të tilla s’kishin për të ndodhur më.
Por Kadriu vazhdoi sulmin për të dalë atje ku synonte: - Po qe se Hatja, ose ndonjë tjetër miku yt, na ve në shteg Izet Vrezhon, ose ndonjë tjetër të arratisur që vjen nga Greqia, atëhere shpëtoi jeta e Pertefit. Ose në qoftë se ti i shkruan një letër Ago Agajt në Itali që të shërbejë për ne, dhe atëhere shpëton jeta e Pertefit.
I habitur nga propozimet, Reshati ia kthen aty për aty:- Letër Agos s’kam si t’i shkruaj, se s’ia di adresën dhe e dyta nuk e besoj që ai personalitet politik të ulet kaq shumë për të shpëtuar vëllanë tim.Po për propozimin e parë dua të vete në Amonicë, të takohem me xhaxha Haton dhe Hodon e t’i pyes nëse mund të bëjnë gjë në këtë drejtim.
Kadriu i tha se Ago dhe shokët e tij jetojnë keq e mos më keq në kampet e emigrantëve dhe, sa për letrën, dinin ata se si e ku t’ia dorezonin. Por, ngaqë Reshtai nuk pranoi,Kadriu i tha të shkonte në Drenie për të parë nëse mund të bënte gjë për propozimin e parë.
Shkoi në Drenie dhe takoi me dy njerëzit e tij më të afërt dhe më të besuar, xhaxhanë Hate dhe kushëririn Hodo Mystehakun nga Mavrova, të cilëve u tregoi pa asnjë rezervë çdo bisedë, që kisha patur me Kadrinë. Të tre erdhën në një mendje për të bërë çmos që të shpëtonim jetën e Pertefit, pa rënë në tradhëti, ose duke u vënë në kontakt me ndonjë të arratisur dhe kështu t’i bënin ata të pushtetit që të besonin se këta po mundoheshin.
Edhe kur shkruante ditarin tridhjet vjet më pas, Reshatit, nuk i shkuleshin nga mendja fjalët e kushëririt:
- Ne duam ta shpëtojmë jetën e Pertefit, po nuk duam kurrsesi të futemi në tradhëti kombëtare, kur vendi ynë është mbytur në gjak kundër komunizmës dhe me mijëra nacionalistë janë vrarë nga duart e tyre. Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur, pa rënë në tradhëti, se atëhere humbasim edhe Pertefin, edhe gjakun e kaq dëshmorëve.
Pas dhjetë ditësh u kthye në Tiranë dhe i tregoi Kadriut situatën në Vlorë. Pas asaj bisede Kadriu i bëri atë propozimin e papritur, ku ai do të ishte peng për vëllanë dhe vëllai peng për Reshatin.
Kadriu i tha:
- Reshat, unë s’mund të të ndihmoj, po nuk na dhe ti ndonjë ndihmë nga ana jote për shpëtimin e jetës së Pertefit. Unë e kam kushëri Pertefin dhe më vjen keq ta vras me duar lidhur, sepse vdekja e tij nuk është e domosdoshme, që të shpëtojë pushteti i popullit. Jeta e tij nuk luan asnjë rol në këtë drejtim. Unë dua ta shpëtoj, po ti duhet të më ndihmosh me vetë përpjekjet e tua.
- Po ç’duhet të bëj?- ia ktheu Reshati.
Atëherë Kadriu ia tha hapur idenë e tij: -Ti duhet të arratisesh dhe të shkosh në mërgim jashtë shtetit, në Itali dhe të na shërbesh që andej. Vetëm atëherë shpëton jeta e Pertefit. Po mendohu, se kemi kohë të bisedojmë për këtë çeshtje.
Pas pak Kadriu shtoi se do të udhëtonte në Vlorë, ku pritej që të dënuarit me vdekje të ekzekutoheshin. Tha se do të takohej edhe me Pertefin.
Kur Kadri Hazbiu u kthye nga Vlora, pas dy ditëve Reshati shkoi në shtëpi dhe e pyeti se si shkonin punët e Vlorës.
Kadriu tha se - Ata të gjithë u ekzekutuan, me përjashtim të Pertefit. Në vend të tij, në gropën e caktuar për Pertefin, kishin future një kufomë kafshe. Ai shtoi se Pertefin e kishin marrë fshehurazi dhe e kishin sjellë në Tiranë dhe po e mbanin me një emër të rremë në një vend të fshehtë.
- Po pastaj? - e pyeti i habitur, çdo të ndodhë?
- Jeta e tij është në dorën tënde dhe ti do shkosh jashtë si i arratisur, do punosh për ne dhe kështu, kur të na shkruash informatat që do të kërkojmë ne, atëhere ai shpëton.Reshati iu lut, që të mos e vinte në këtë provë të rrezikshme se nuk mund ta bëntei. Karakteri i tij nuk ishte për punë të atilla.
- Kjo punë ka marrë fund,- i tha Kadriu. - Këtë plan e ka firmosur komandanti, Enver Hoxha, dhe ti do të shkosh jashtë në shërbimin tonë. Nesër mbrëma do të vish këtu, ku do të të ve në kontakt me oficerët që kanë në dorë punën tënde dhe me ta do bësh të gjitha përgatitjet për nisje dhe rregullimin e të gjitha punëve të tua.
I habitur dhe i tronditur nga kjo bisedë, nuk mundi të shtonte asgjë tjetër, por vetëm tha se, pa u takuar një herë me vëllanë,Pertefin, nuk dëshironte të largohej, sepse kushedi kur do të shiheshin.
-Po, - i tha Kadriu, - do të takohesh me Pertefin, kur të vijë koha.
I ngashëryer dhe disi i qetësuar nga ky premtim, u nda kësaj here me Kadri Hazbinë, kushëririn e tij, djalin e ri që dikur e kishte pasur në kujdes në Shkollën Tregtare, por që tashti së bashku me Mehmet Shehun ishin çifti më i rëndë në tërë vendin dhe para tyre dridheshin të mëdhenj e të vegjël.
Të nesërmen shkoi në shtëpinë e Kadri Hazbiut, sipas porosisë që i pat dhënë më parë dhe aty gjeti oficerin, që ish caktuar për ndërlidhje.Për çudinë e tij, aty pa Skënder Konicën, po atë oficer që, kur e arrestuan më 1946, e torturoi tmerrsisht dhe më pas i përgatiti procesin. Kur e pa Skënderin, bëri sikur u gëzua, e i shtërngoi dorën, duke i thënë derrit dajë, si i thonë në Labëri. Kadriu gjoja u çudit se si ata e njihnim njëri-tjetrin. Ishte i bindur se ai i dinte punët fill e për pe.
Aty nuk biseduan shumë, veçse Kadriu i tha se Skënderi ishte këtej e tutje ndërlidhësi mes tyre. Porosia ishte e rreptë: Kushdo që nxjerr fjalën për këtë punë, e pret plumbi në kokë.
PS: Ne Foto: Majtas Reshati, djathtas Pertefi, qe u pushkatua nga diktatura...(VIJON)

* Fragmenti eshte shkeputur nga " VELLAI I PENGUT", nje liber qe ka njohur deri me tani 3 ribotime. Libri nisi si Dossier prej meje ne Gazeten Illyria. Ditarin ma dorezoi Teki Gjonzeneli me banim ne Nju Xhersi, dhe bashkeshortja Filanda, e bija Pertefit, vellait te Reshat Agaj, i denuar dhe i vrare nga Diktatura. Ishte nje ditar i zverdhur prej kohes kur u shkrua prej intelektualit Reshat Agaj ne Kenosha , Wsconsi-SHBA. Ditari iu besua nje familje kercovare, familjes Hamdija me amanetin: Ky ditar dhe keto $50 mije dollar t'i dorezohen familjes me nje kusht: Kur te rrezohet komunizmi. Amaneti kaloi nga Kalosh Hamidija , qe u vra me atentat, tek i biri, i cili e mbajti fjalen dhe ne '90-ten e dergoi Ditarin dhe dollaret ne Vlore.

Modifikuar më Hënë, 22 October 2018 19:20
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...