Kur Facebooku bleu Instagramin për 1 miliard dollarë në vitin 2012, dukej si një rrezik që kishte marrë përsipër me një aplikacion jo fort të përdorur.
Gjashtë vjet më vonë, ky aplikacion i vogël – së bashku me Messengerin dhe WhatsAppin – po shërbejnë si siguri për të ardhmen e Facebookut që po i humb shkëlqimi.
Facebooku i prin rrjeteve sociale, por kjo mund të ndryshojë shumë shpejtë. Problemet e kompanisë me ndërhyrje në zgjedhje, keqinformim, shkelje të privatësisë, hakimit dhe gjuhës së urrejtjes, kanë paralajmëruar se Facebooku nuk do të jetë gjithmonë në krye të rrjeteve sociale.
“Facebooku mund të shembet”, thotë David Kirkpatrick që shkroi një libër për historinë e Facebookut në vitin 2010, transmeton Koha.net.
Në një intervistë, ai ka thënë se manipulimi i zgjedhjeve mund të jetë fakt shqetësues për reklamuesit që mund të ikin nga ky rrjet social.
“Nuk është se po ndodh tani, por mund të ndodhë”, ka shtuar ai.
Derisa Facebooku po ndalon të jetë mjet shoqërimi dhe bisedash, reklamuesit e shohin të rrezikshëm përfshirjen në të shkaku i shakave dhe keqinformimit që bëhet në këtë rrjet social.
Edhe pse Facebooku nuk tregon të hyrat që merr nga aplikacionet, eMarketer vlerëson se Instagrami do t’i sjell Facebookut 16 për qind të fitimeve sivjet dhe 25 për qind deri në vitin 2020.
“Kjo tregon faktin se reklamuesit e duan Instagramin”, thotë Debra Aho Williamson. “Po del të jetë ambient më i mirë për reklama”.
Në fakt, Instagrami është bërë shërbim kryesor i disa kompanive që komunikojnë me konsumatorët e vet.
Facebooku po punon që edhe Messengeri me WhatsAppin të jenë biznese fitimprurëse.
Messengeri pritet të ka dalë me përditësimin e ri dhe mund të përdoret më lehtë. Ridizajnimi i aplikacionit të bisedave e bën të qartë se mesazhet nga bizneset dhe reklamat - po bëhen të rëndësishme për Facebookun.
Njerëzit po përdorin çdo ditë e më pak Facebookun dhe kanë kaluar krejtësisht në Instagram dhe shërbimet e bisedave që ofron ky aplikacion. Një studim i Pew Research Center ka gjetur se gjysma e adoleshentëve përdorin Facebookun, derisa 72 për qind përdorin Instagramin.