Euro mund të bjerë më tej – Ekspertët: Tregu ka krijuar pritshmëri

E Enjte, 25 October 2018 06:59

Me shumë gjasa, euro do të zhvlerësohet më tej në kursin e këmbimit valutor. Eksperti i tregjeve financiare, Elvin Meka, thotë se balancat e kërkesës dhe ofertës në tregun valutor, ashtu si edhe pritshmëritë e agjentëve, shkojnë në favor të një mbiçmimi të mëtejshëm të lekut. Megjithatë, një faktor përcaktues do të jetë edhe qëndrimi që do të mbajë Banka e Shqipërisë.

“Nëse nuk do të kemi ndryshim qasje, një ofertë më të zgjeruar monetare në lek ose ndërhyrje jo të shpeshta, përmasa më të mëdha nga Banka e Shqipërisë, nisur nga pritshmëritë që ka nga aktorët e tregut që thamë në rastin e Eurobondit, por dhe duke u nisur nga fakti që numri i operatorëve në tregun valutor i cili ndikon në fiksimin e kursit të këmbimit, mbetet relativisht i kufizuar, pritshmëritë do të jenë për një kurs më të zhvlerësuar të euros, ose të themi për një mbiçmim të mëtejshëm të lekut në treg”, tha Meka.
Zoti Meka është i mendimit se zgjatja e sezonit turistik ka sjellë rritje të flukseve valutore dhe ofertë të lartë të euros në treg. Por, nga ana tjetër, ai mendon se edhe oferta e lekut në treg duket të jetë e shtrënguar, pavarësisht politikës monetare lehtësuese.
“Vihet re një zgjatje e pazakontë e sezonit turistik, gjë që në një farë mënyrë krijon një lloj goditje, pra të zgjatur në kohë sa i përket ofertës së shtuar të monedhës së huaj, kryesisht në euro. Në kushtet kur end nuk kemi të formësuar një plan të detajuar për sa i përket ‘sterilizimit’ po themi të monedhës huaj në treg, do të jemi dëshmitarë të këtyre lloj goditjeve që herë pas here merr le të themi kursi.”
Euro u këmbye të mërkurën me 124.79 lekë, në nivelin më të ulët që nga fillimi i muajit qershor. Ishte në atë moment kur Banka e Shqipërisë vendosi të ndërhynte në tregun valutor, me qëllim frenimin e një mbiçmimi të mëtejshëm të lekut. Zyrtarisht, program i nisur qysh atëherë ende nuk ka përfunduar. Megjithatë, zhvlerësimi i euros në javët e fundit mund të jetë një sinjal se banka qendrore e ka kufizuar blerjen e valutës dhe ndikimin e saj në kursin e këmbimit.

Modifikuar më E Enjte, 25 October 2018 08:25
Login to post comments