Vijojnë reagimet ndërkombëtare për mbrojtjen e Lumit Vjosa

E Enjte, 25 October 2018 07:11

Komisioni i Përhershëm i Konventës së Bernës pritet të bëjë 12 rekomandime për qeverinë shqiptare lidhur me planet për ndërtimin e hidrocentraleve mbi Lumin Vjosa në Shqipëri.

Ekspertët e Konventës kanë përgatitur një projekt-raport i cili sapo është publikuar dhe pritet të diskutohet nga Komisioni i Përhershëm i Konventës në takimin që do të mbahet më 27-30 nëntor, në Strasburg. Rekomandimi më i rëndësishëm në raportin paraprak është ai se Qeveria shqiptare duhet të pezullojë projektet për ndërtimin e hidrocentraleve të Kalivaçit dhe Poçemit në Lumin Vjosa në Shqipëri.
Ekspertët e Konventës i rekomandojnë qeverisë shqiptare të përgatisë sa më shpejt një Plan të Menaxhimit të Integruar të Basenit të Vjosës, si dhe një vlerësim strategjik mjedisor për basenin lumor të Vjosës në bashkëpunim me Greqinë dhe në procese këshillimi me komunitetet vendore. Rekomandimet përfshijnë edhe zhvillimin e një studim për ndikimet e mundshme të Hidrocentraleve të Kalivaçit dhe Poçemit në lumin Vjosa si dhe përsëritjen e studimit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për Hidrocentralin e Poçemit.
Reagimi i Komisionit të Konventës vjen pas ankimimit të Grupimit mjedisor shqiptar “Ekoalbania” dhe pas një vizite gjatë këtij viti të ekspertëve të Konventës në Shqipëri. “ “Dy vite më parë kemi bërë një ankimim pranë Konventës së Bernës duke argumentuar se ndërtimi i HEC-eve në Vjosë është në kundërshtim me disa nene të saj dhe sot pas një angazhimi të vazhdueshëm Byroja e Konventës vjen me një raport dhe një sërë rekomandimesh të cilat qeveria shqiptare ka detyrimin që t’i marrë në konsideratë” , i tha zoti Nika Zërit të Amerikës me telefon nga Tirana. Zoti Nika shtoi se që në vitin 1998 Shqipëria e ka ratifikuar këtë Konventë të Këshillit të Europës që është sipas tij nga konventave më të rëndësishme të ruajtjes së natyrës dhe mbrojtjes së biodiversitetit në Europë”.
Qeveria shqiptare nënshkroi pak kohë më parë kontratën e koncesionit për punimet ne Hidrocentralin e Kalivaçit me bashkimin e përkohshëm të kompanisë shqiptare “Fusha Sh.p.k” dhe Kompanisë turke “Ayen Enerji”. Kompanisë turke “Ayen Enerji” i ishte dhënë më herët koncesioni për projektin hidroenergjetik Poçem, punimet e të cilit janë ndërprerë, pas një vendimi të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Lumi Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i egër në Evropë.
Vjosa rrjedh e paprekur për rreth 270 km nga malet e Pindit ne Greqi deri në derdhjen në detin Adriatik ne territorin shqiptar. Një numër organizatash mjedisore ndërkombëtare dhe kombëtare po zhvillojnë vitet e fundit fushata ndërgjegjësuese ndaj autoriteteve shqiptare për moszhvillimin e projeketeve të parashikuara për ndërtimin e disa hidrocentraleve mbi Lumin Vjosa.

Login to post comments