Projektligj i ri për duhanin, bëhen detyruese kontratat dhe pagesat mes prodhuesve dhe grumbulluesve

Hënë, 29 October 2018 07:07

Një projektligj i ri për prodhimin dhe tregtimin e duhanit i hartuar së fundmi nga Ministria e Bujqësisë bën detyruese lidhjen e kontratës mes prodhuesit dhe grumbullues-përpunuesit si

dhe detyrimin që subjektet grumbulluese të shlyejnë detyrimin financiarë jo më të duhanit. Gjithashtu pagesa duhet të behët jo më vonë se 30 ditë nga data e faturës financiare, sipas kontratës.

Projektligji i ri synon përmirësimin e kuadrit ligjor për prodhimin dhe tregtimin e duhanit dhe produkteve të tij, me synim rritjen e formaliteti, luftën ndaj produkteve ilegale, që nuk paguajnë taksa dhe shtimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Çdo fermer që prodhon duhan do të pajiset me kartelën personale të konfirmuar zyrtarisht nga njësia përgjegjëse për bujqësinë në qarqe.

Baza e re ligjore zgjidh konfliktin mes fermerëve prodhues dhe grumbullues-përpunuesve lidhur me sezonin e grumbullimit të duhanit, duke përfshirë detyrimin ligjor për përgatitjen e mostrave para fillimit të sezonit, demonstrimin e tyre në çdo pikë të grumbullimit sipas tipeve të duhanit.

Më pas ato paraqiten zyrtarisht në institucionin përgjegjës që mbulon fushën e duhan-cigareve, megjithë kopjen e kontratës së lidhur mes palëve në fillim te sezonit të prodhimit, grafikut të grumbullimit, listën e pikave të grumbullimit, vendndodhjen e tyre, garancinë bankare për shlyerjen e 100 % të vlerës së prodhimit të kontraktuar dhe mbi këtë bazë merr miratimin nga institucioni përgjegjës që mbulon fushën e duhan-cigareve.

Në këtë projektligj është përcaktuar afati i fillimit dhe përfundimit të grumbullimit të duhanit nga 1 nëntori deri në 31 mars të vitit pasardhës.

Ministria e Bujqësisë sqaron se miratimi i këtij projektligji krijon lehtësira për fermerët e vendit tonë që prodhojnë duhan dhe detyron grumbulluesit dhe përpunuesit për të zbatuar standardet shtetërore në fuqi.

Baza e re ligjore përcakton zgjidhjen e kundërshtimeve mes palëve lidhur me vlerësimin e cilësisë dhe sasisë së prodhimit të duhanit nga komisioni i eksperteve, i cili duhet të përbëhet nga jo më pak se tre anëtare, me përfaqsim të barabartë palëve si dhe një përfaqësues ekspert i fushës i institucionit përgjegjës që mbulon fushën e duhan-cigareve.

Prodhuesit dhe importuesit e produkteve të duhanit detyrohen të regjistrojnë markat e këtyre produkteve në Regjistrin e Markave pranë institucionit përgjegjës që mbulon fushën e duhan-cigareve. Gjithashtu detyrohen të kryejnë analizat fiziko kimike dhe vlerësimin cilësor të markave e cigareve sipas standardit ISO vetëm njëherë në vit.

 

Login to post comments