Nga Doc. Hajri Mandri
Gjurmët nuk janë thjesht një shenjë që hapat tanë lënë në rrugën me baltë, që na çojnë nëpër vise, as në rrugën me dëborë apo në bregun e detit, as rrathët në trungun e një peme të moçme, as fosilet në shtresimet e kohëpaskohshme në shkëmb, asnjë shenjë që lë koha në lëvizje ose gjithçka që ajo kthen në dëshmim. Gjurmët janë tregues të udhës që kemi bërë, asaj që do të bëjmë dhe atyre që do të dëshmojnë në emrin tonë. E gjithë jeta jonë është e mbushur përplot me sfida. Çdo ditë që ne nisim është një synim, një arritje, është ajo që përbën vetveten, që strukturon atë taban ku ne lartësojmë identitetin tonë. Ky është një definicion i saktë, që përcakton nga se është e përbërë kjo përmbledhje me publicistikë, ese, kumtime dhe përjetime të ndryshme. “Gjurmët” e çojnë publicistin, poetin dhe shkrimtarin Halil Teodori atje ku ai dëshiron të shkojë vullnetmirë, Halil T eodori për të treguar ose përcjellë më shumë sesa një lidhje dhe raport që ka me personazhet që interviston apo vendet për të cilët shkruan, autorët që e shënjojnë me shënimet e tyre, për të vendosur një piketë me emrin e tij. Ashtu si dhe librat e mëhershëm që ai ka shkruar, në prozë apo në poezi, edhe në këtë qasje për t’u rikthyer te lexuesi, ai është i njëjtë. Gjurmët janë kujtesa e kohës. Përmes gjurmëve ne mund të mbërrijmë në dëshmimin e një kohe, rrethane apo veçanti që e ka bërë atë tonën, duke e lidhur përmes fijesh të padukshme, duke e çuar tej, atje ku shkuam dhe duke na treguar se çfarë bëmë. Janë këto gjurmë që e sjellin Halil Teodorin në realitetin e gjërave që ai jetësoi, që ai i endi, të asaj që atë e përfaqësojnë. Gjithçka që ne bëjmë, gjithkund ku ne shkojmë kalon përmes gjurmësh, përmes atyre shënjimeve që marrin përsipër të tregojnë se kujt i përket kjo gjë apo ai përjetim. Teodori, duke kërkuar gjithnjë e më shumë nga vetja, ka arritur të gjejë nevojën për të rendur, për të shkuar atje ku e pret diçka, atje ku dikush ka nevojë për të, atje ku ai duhet të jetë. Edhe në ajër rruga e tij është e shënuar në gjurmë, në re, në yjësi. Sepse ai ka parë dhe kërkon t’i plazmojë në ndërmendjen e kohës, si për të treguar se edhe ai ishte atje ku ngjarjet e mëdha të një epoke ndodhnin, ku personazhet e rëndësishëm flisnin, ku kujtimi merrte mbi supe të tashmen e vet për ta zhvendosur në gjithëkohje. Libri “Gjurmët” i Halil Teodorit është jo vetëm një Gjurmë por libër që i bashkohet kolanës së tij krijuese, por shumë e shumë më tepër, ai është rrugëtimi që ai ka bërë, gjurmët që ai ka lënë, por përmbi të gjitha shpirtin që ai ka skalitur. Publicistika e Teodorit është ajo shprehi e forcës së tij shpirtërore, ai zgjatim i gjymtyrëve të rrëfimit, ajo qartësi me të cilën ai rreket të shohë dhe të dëshmojë. Ai shkruan për vendlindjen, për ngjarjet kruciale të kohës, shkruan për traditat dhe vlerat e një përvoje që ka mbetur si një gjerdan në qafën e kohës. Bën gjithçka me një përkushtim dhe angazhim të admirueshëm. Nuk pranon asnjëherë t’ia falë veten heshtjes, vetmisë, shterimit të ideve. Ai është gjithnjë aty, ku ai ka diçka për të thënë, diçka për të bërë. Sepse ai kërkon të ndihet në çdo qelizë pjesë e realitetit, pjesë e së tërës që e rrethon dhe që është koha e tij. Me “Gjurmët” Halil Teodori tregon, ofrohet, merr shkas komunikimi, gjen motivim shtytës për të çuar më tej caqet e tij. Ai nuk resht, sepse koha nuk fal. E sotmja ikën më shpejt se ç’e pandehim ne. Ikën për të mos u kthyer më kurrë. Me kambanat që u bie, ajo nuk harron të tregojë se duhet kapur e sotmja, ajo që me ikjen na lë pas brengën e mosrealizimit të atyre dëshirave që lindën tek ne si vepra. Ai është këtu dhe do të jetë sërish me penën dhe punën e tij konkurruese dhe përfaqësuese të një treve