Tatimeve u mungojnë 53 milionë euro për 9-mujorin

Premte, 02 November 2018 07:05

Të ardhurat totale për 9 mujorin 2018, u realizuan në vlerën 329.2 miliardë lekë, 3% ose 9.2 miliardë lekë më shumë se 9 mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 98%, njoftoi Ministria e Financave.

Në raport me planin, të ardhurat janë 6.7 miliardë lekë, ose 53 milionë euro.
Në njoftim thuhet se “Të ardhurat e arkëtuara nga “tatimet dhe doganat” (përfshirë kontributet e mbledhura nga D.P.T) për 9 mujorin 2018, janë 290.5 miliardë lekë, 3.8% ose 10.7 miliardë lekë më shumë se 9 mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 99%.
Të ardhurat nga “Taksa Doganore” janë realizuar në vlerën 4.6 miliardë lekë, me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 93.1%.
Të ardhurat nga “Akciza” janë realizuar në vlerën 33.3 miliardë lekë, me realizim kundrejt planit në masën 95%. Ndikim ka pasur “Karburanti” (import+prodhim vendas), që rezultoi rreth 435,113 ton, me një rritje prej 10,786 ton ose +2.5% krahasuar me 9 mujorin e vitit 2017. Gjithashtu performancë pozitive si rezultat i rritjes së sasisë kanë shënuar: importi dhe prodhimi i “Birrës” +1.8%; importi i “Duhanit” +4.4%; importi i “Vaj lubrifikant” +6.5%, import i “Kafes” +10.6%. Deklarimi i prodhimit vendas të duhanit është rritur nga 8 ton në 14 ton të deklaruara në periudhën Janar-Shtator 2018.
Të ardhurat nga “Renta Minerare” në eksport janë realizuar në vlerën 2 miliardë lekë, 15.5% ose 270 milionë lekë më shumë krahasuar me 9 mujorin e vitit 2017. Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur me 236 milionë lekë, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar me rreth 83 mijë ton dhe janë rritur me 329 milionë lekë si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke sjellë rritje të rentës për njësi nga 2.85 lekë/kg në 3.58 lekë/kg. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 121 milionë lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar, me rreth 307 mijë ton si dhe janë ulur me 176 milionë lekë, për shkak të rënies së çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të ardhurat nga “TVSH-ja” në total, janë realizuar në vlerën 105.3 miliardë lekë, 3.3% ose 3.4 miliardë lekë më shumë se 9-mujori i vitit 2017 dhe me realizim në masën 98.6% të planit. Karburanti import mbuloi rreth 87% të konsumit gjatë periudhës Janar-Shtator të vitit 2018 krahasuar me 69% që ishte ky tregues vitin e kaluar. Rënia e kursit të këmbimit të monedhave të huaja (EURO dhe USD) kundrejtë monedhës vendase, ka dhënë efekte të ndjeshme në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja në import për të gjitha kategoritë e mallrave. Janë rimbursuar rreth 10.4 miliardë lekë, ose 14.5% më shumë se 9-mujori i vitit 2017.
Të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 24.4 miliardë lekë, 4% ose 906 milionë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe realizim në masën 98.2% të planit. Kriza energjitike e vitit të kaluar ka dhënë efekte negative në rezultatin financiar të kompanive të sistemit energjitik, çka u reflektua në uljen e fitimit të tatueshëm dhe tatimit të paguar në vitin 2018.
Të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 28 miliardë lekë, 13.8% ose 3.4 miliardë lekë më shumë se 9-mujori i vitit 2017 dhe +1.4% ose 382 milionë lekë më shumë krahasuar me planin. Krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga të punësuarit e sektorit publik dhe sektorit privat, janë rritur ndjeshëm, kjo si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve aktiv krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Zëri “Taksat Kombëtare” janë realizuar në vlerën 26.9 miliardë lekë, realizim në masën 100.6% ose 155 milionë lekë më shumë se plani.
Të ardhurat nga “Kontributet e D.P.T-së” janë realizuar në vlerën 66.1 miliardë lekë, 8.1% ose 5 miliardë lekë më shumë se 9 mujori i vitit 2017 dhe 0.5% ose 325 milionë lekë më shumë se plani. Rezultati i lartë me rritje të qëndrueshme buron kryesisht nga situata pozitive ekonomike dhe rritja si rrjedhojë e numrit të të punësuarve.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e nëntë të vitit 2018, arritën në rreth 326 miliardë lekë me një realizim në masën 96.2 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ky zë ka rezultuar 1 përqind më i lartë ose 3.38 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet korente për periudhën 9 mujore të vitit 2018 rezultuan në rreth 281.5 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 1.4 përqind më i lartë ose rreth 3.8 miliardë lekë më shumë.
Shpenzimet kapitale për muajin e nëntë të vitit 2018 paraqesin një realizim në masën rreth 44.5 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë është 7.7 përqind më i lartë ose rreth 3.2 miliard lekë më shumë.
Sikurse evidentohet nga tabela e treguesve fiskal të konsoliduar, ky nivel i realizimit të shpenzimeve dhe të ardhurave të përgjithshme është shoqëruar me një suficit buxhetor prej rreth 3.23 miliardë lekë”, përfundon njoftimi.

Login to post comments