Lufta antikorrupsioni, KLSH: Ende larg pritshmërive pavarësisht përpjekjeve

E Enjte, 08 November 2018 07:21

Gjashtë mujori i fundit i këtij viti ka shënuar punë pozitive në drejtim të Antikorrupsionit, sidomos nga Ministria e Drejtësisë, megjithatë, ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

Ky është konkluzioni i bërë publik nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, teksa ka bërë të ditur se të dhënat janë marë në përfundim të auditimit, ku subjektet e përfshira në auditim përcollën observacionet e tyre, të cilat nuk sollën fakte dhe argumente të qenësishme për të ndryshuar qëndrimin e dept. dhe KLSH-së.

“Duke përgëzuar Ministren e Drejtësisë për nismat që ka ndërmarrë në tre-mujorët e dytë dhe të tretë të vitit 2018 në intensifikimin e luftës ndaj korrupsionit, KLSH gjykon se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, nga të gjitha palët e përfshira në proces, përfshirë sigurisht edhe vetë KLSH-në” thuhet në konkluzionet e KLSH-së.

Sipas KLSH-së, këtij qëllimi i shërben hartimi i Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2015–2020, të miratuar me VKM nr. 247, datë 20.3.2015, si dhe Plani shoqërues i Veprimit i cili i referohet periudhës 2015–2017.

Në vitin 2015, Progres Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë ka theksuar se: “U miratua një strategji e re antikorrupsion dhe një plan veprimi. Megjithatë, korrupsioni është i përhapur dhe nevojiten më shumë përpjekje për të bërë përparim me qëllim të krijimit të një rekordi të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në të gjitha nivelet”.

Edhe në vitet 2016-2017 është vlerësuar se nevojiten më shumë përpjekje për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë dhe që korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz.

Departamenti i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, në përputhje me Standartet Ndërkombëtare Audituese, Planin Vjetor të punës dhe dokumentet zyrtare audituese e administrative, auditoi Ministrinë e Drejtësisë, Prefekturat Tiranë, Shkodër dhe Fier lidhur me implementimin e SNKK dhe PV shoqërues të saj, për periudhën Janar 2015 – Qershor 2018.

Fokusi i këtij auditimi ishte zbatimi i objektivit A.11: “Artikulimi dhe adoptimi i politikave antikorrupsion në nivelin e qeverisjes vendore”. Ky fokus u përzgjodh në linjë me shqetësimin qytetar, ku shërbimet e ofruara nga pushteti vendor janë përgjithësisht më të prekshmet.

Pyetja kryesore e auditimit ishte: “A ka rezultuar efektiv objektivi A. 11 i SNKK?” dhe përgjigjja në formën e mesazhit auditues ishte:

“SNKK dhe PV janë krijuar për të qenë në linjë me një nga 5 rekomandimet e BE-së dhe rezultati final i tyre duhet të reduktonte ndjeshëm korrupsionin në vend me anë të përfshirjes së të gjitha palëve të interesit. Pavarësisht këtij synimi, SNKK dhe rrjedhimisht PV që e detajon atë vuajnë planifikimin e dobët të objektivave të saj, specifikisht të objektivit A11 audituar nga KLSH.

Ky planifikim i dobët shprehet në formulimin e nënobjektivave jo-SMART, moskonsultimin apo konsultimin fiktiv të palëve të interesit në hartimin e këtyre dokumenteve, mungesën e metodologjisë që përkthen objektivat operacionalë në strategjikë, mungesën e koherencës midis PV dhe SNKK, si edhe miratimit të kësaj Strategjie me akt nënligjor (VKM), ndërkohë që ajo parashtron detyra edhe për institucionet e pavarura nga ekzekutivi.

Në drejtim të implementimit, Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit (Ministria e Shtetit për Çështjet Vendore për periudhën mars 2015- shtator 2017 dhe Ministria e Drejtësisë për periudhën shtator – qershor 2018) me rol kyç në hartimin, implementimin dhe monitorimin e SNKK dhe Planit të Veprimit, nuk kanë zotëruar asnjë hallkë të detyrave dhe përgjegjësive të veta, duke rezultuar në një Strategji të pazbatuar, pamonitoruar dhe rrjedhimisht të paraportuar për arritjet dhe mosarritjet.

Në vijim, vlerësojmë përpjekjet e Ministrisë së Drejtësisë në luftën kundër korrupsionin, nëpërmjet veprimtarisë së Task Forcës, përgjatë 3-mujorit të dytë dhe të tretë të vitit 2018.

Prefekturat, si një nga palët kryesore në zbatimin e Strategjisë janë joaktive si në afatet, ashtu edhe cilësinë e raportimit dhe rezultojnë të mos kenë realizuar produktet finale të parashikuara.

Nga ana tjetër, edhe pse shoqërisë civile i janë lëvruar fonde nga buxheti i shtetit lidhur me çështjen antikorrupsion dhe specifikisht këtë Strategji, roli i saj pothuajse nuk ekziston. Ajo rezulton të mos jetë e përfshirë në procesin e hartimit të SNKK dhe atë të luftimit të këtij fenomeni dhe për rrjedhojë nuk ka kontribuar si vlerë e shtuar e kësaj Strategjie.

Duke e konsideruar të dështuar në masën më të madhe objektivin A.11 dhe përgjithësisht Strategjinë Antikorrupsion dhe Planin e Veprimit për ta vënë në jetë atë, si edhe për të siguruar implementimin e një nisme kaq jetike për vendin e për të eliminuar në vijimësi riskun e transferimit të KKK nga njëri institucion në tjetrin, KLSH rekomandon krijimin e një Agjencie Kombëtare Antikorrupsion.

Kjo agjenci sugjerohet të jetë nën varësinë e Kryeministrit dhe përgjegjëse për rihartimin, rizbatimin dhe monitorimin e mëtejshëm të SNKK dhe PV, duke marrë fillimisht dakordësinë e Kuvendit për dokumentet strategjikë në formën e një Ligji të posaçëm. Gjithashtu, për përfshirjen e institucioneve jashtë-qeveritare në këtë Strategji, sinergjizimin e përpjekjeve antikorrupsion nga qeveria dhe institucionet kushtetuese, shoqëria civile, donatorët e huaj dhe aktorë të tjerë publikë, Kuvendi mund të përfshijë në Ligjin e miratuar për këtë Strategji, një aneks mbi raportet dhe rolin e këtyre aktorëve në Strategjinë Antikorrupsion dhe konkretisht me Agjencinë Kombëtare Antikorrupsion. Marrëdhëniet dhe roli i aktorëve jashtë-qeveritarë, sugjerohet të fokusohen në rakordimin e strategjive individuale të këtyre aktorëve me Strategjinë Antikorrupsion të qeverisë.”

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, politik dhe social është synimi kryesor i çdo vendi, synim që shndërrohet në sfidë komplekse për shtetet me demokraci të brishtë dhe me institucione të dobëta.

Krahas të tjerave, korrupsioni është një nga pengesat kryesore për arritjen e këtij synimi. Korrupsioni është sëmundja tumoriale e pushtetit.

Korrupsioni shkatërron vendet e punës dhe pengon zhvillimin, i kushton ekonomive kudo në botë miliarda dollarë çdo vit. I ngujon të varfrit në varfëri, sepse qeveritë e korruptuara anembanë botës vjedhin buxhetin e shtetit dhe pengojnë njerëzit e devotshëm që punojnë me djersë dhe me ndershmëri të fitojnë nga frytet e punës së tyre.

Korrupsioni vjedh investimet që duhej të shkonin në shkolla dhe spitale kur të korruptuarit u shmangen taksave që duhet paguar. Korrupsioni është armiku numër një i demokracisë.

Me rritjen e korrupsionit dhe njohjen e efekteve të dëmshme të tij në rritjen ekonomike dhe stabilitetin shoqëror, kërkesa për strategji praktike për të reduktuar korrupsionin është rritur në mënyrë drastike.

Korrupsioni dhe luftimi i tij vijojnë të jenë një nga sfidat kryesore dhe një nga prioritetet madhore ndërsektoriale për Shqipërinë, si dhe një ndër pesë politikat të cilat vendi ynë këshillohet t’i ndjekë me përparësi në procesin e integrimit evropian të vendit.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...