Tetë orë në ditë prej dy vitesh, Mimoza është në kontakt të përditshëm me pluhurat.
Pagesa prej 20 mijë lekësh në muaj, nuk e bën të justifikueshme rrezikun serioz që i kanoset gjendjes së saj shëndetësore, kur kujdeset për Tiranën.
“Po edhe rruga e Elbasanit ka ngarkesë, me një fjalë çdo rrugë ka ngarkesë, por ça të bëjmë… e kemi për detyrë ta pastrojmë. Me një fjalë 7 të mëngjesit deri në 2”, shprehet Mimoza.
Kryeqyteti rezulton si qyteti me nivelin më të lartë të ndotjes së ajrit urban, sipas monitorimit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për 2017, i cili nuk është kryer i plotë për shkak të mungesës së fondeve. Por ajo çka vihet re është tejkalim i normës vjetore së Bashkimit Europian.
Trafiku i rënduar, lëvizja e automjeteve të vjetra, urbanizimi i popullsisë, etj. kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit, duke sjellë probleme frymëmarrjeje në shëndetin e popullatës.
Por edhe ndërtimet pa kriter janë burim ndotjeje të cilësisë së ajrit. Pluhurat e punimeve mbërrijnë në ballkonet e pallateve. Me këtë nivel ndotjeje është e pamundur të ndesh rrobat jashtë banese.
Ndërkohë që disa banorë kanë gjetur zgjidhje, me mbulimin e ballkoneve me perde, në mënyrë që ajri i ndotur të mos hyjë teksa hapet dera. Megjithatë, kur lë shtëpinë, ndotja e ajrit është e pashmangshme.
OBSH vlerëson se 80% e vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet e zemrës, 14% të vdekjeve nga sëmundjet e mushkërive, dhe 6% te vdekjeve nga kanceri i mushkërive, lidhen me ndotjen e ajrit urban.
Top Channel