Vrasja e çiftit Berçana, ishte mes ngjarjeve të rënda kriminale që tronditën kryeqendrën e veriut të Shqipërisë.
Ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në korrik dhe ende nuk ka asnjë person në pranga për këtë ekzekutim mafioz, hetimet kanë zbuluar detaje tronditëse.
Dyshohet se një intrigë çoi në vrasjen e ish-policit Boran Berçanës dhe bashkëjetueses e tij, Silvana Ndoci. Bëhet fjalë për përhapjen e një thashethemi që ka pasur për qëllim futjen në konflikt të bandave rivale në Shkodër.
Për këtë arsye u përhap fjala sikur Boran Bërçana ishte shprehur, “unë e shtypa butonin e bombës ndaj Lul Kullës”.
Bëhet fjalë për shpërthimin e tritoli në qendër të Shkodrës, që shkaktoi terror, plagosi kalimtarë dhe vetë Lul Kulla u dëmtua rëndë.
Në të vërtetë, sipas një burimi të ABC Neës, Boran Bërçana nuk e kishte deklaruar një fakt të tillë dhe ai nuk kishte pasur lidhje me ngjarjen. Pas verifkimeve ai ndodhej në Spanjë, për llogari të një grupi kriminal.
Por vendimi i ekzekutimit ishte marrë. Dhe jo vetëm për ish-policin, por edhe për bashkëjetuesen e tij që cilësohej si person që kishte dijeni për shumë ngjarje. Mbi ta u shtinë 28 plumba, por fëmija i vogël i tyre shpëtoi, sepse ndodhej në sediljen e pasme.
Hetuesit nuk kanë gjetur asnjë provë ligjore, as në vendin ku ndodhi ekzekutimi dhe as në makinën e autorëve e cila u gjet e djegur në By Pass e Shkodrës.