Duke filluar nga 1 Janari asnjë mjet nën Euro 4 nuk do lejohet të importohet nga jashtë. Vendi ynë ka flotën e makinave më të vjetra në Europë, shkaktarë për ndotjen e madhe në ajër. Por në Durrës, tregtarët e automjeteve të përdorura protestuan sot. Ata thonë se vendimi lë pa pune 5 mijë persona.
Tregtarët e makinave të përdorura në Durrës protestuan pas vendimit për mos lejimin e importit të automjeteve të prodhuara para 2008-ës.
Sipas tyre, ky vendim do të thotë mbyllje e bizneseve dhe se të paktën 5 mijë persona do të mbeten pa punë.
“Kemi dalë sot në protestë sepse është logjike. Nëse një punëtor krahu në Shqipëri e ka rrogën 200 mijë lekë-300 mijë lekë, si mund ta blejë ai një makinë të vitit 2009? Një makinë e 2009-ës më e keqja minimalisht është 5 mijë euro, plus doganën. Ne i marrim makinat nga Gjermania, Italia, Zvicra, nga gjithë shtetet e Europës. Kur nuk e kanë ata këtë ligj, pse duhet ta vëmë ne”,- shprehen pronarët e tyre.
Një tjetër vendim, i cili do të rëndojë mbi xhepat e pronarëve është edhe targimi i automjeteve ekzistuese deri në mars.
Vendimi për të moslejuar importimin e mjeteve nën euro 4 për mjetet e vjetra dhe nën euro 5 për të rejat, është një masë që shërben për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit është thënë ne relicionin e qeverisë.