Java është mbyllur me dobësimin e disa prej valutave kryesore kundrejt monedhës vendase, veçanërisht të sterlinës. Dobësimi i paundit është reflektuar edhe në tregun vendas, ku valuta pësoi një rënie me plot 1.7 lekë për njësi, duke zbritur kështu në kuotën e 140.3 lekeve.
Rënia e sterlinës në tregun vendas përkon me dobësimin e valutës pas lajmërimit të dorëheqjes së ministrit për Brexit, Dominic Raab dhe ministres së punës dhe pensioneve Esther McVey si dhe prej pasigurive në lidhje me projekt marrëveshjen për Brexit në parlamentin britanik.
Ndërkohë, në rënie është regjistruar gjithashtu edhe vlera e dollarit amerikan gjatë ditës së sotme. Valuta është zhvlerësuar me 0.2 lekë për njësi kundrejt monedhës vendase dhe këmbehet sot për 109.3 lekë në blerje dhe 110.2 lekë në shitje.
Situata vijon të mbetet ende e paqartë për valutën europiane, pasi ditë pas dite ka regjistruar luhatje minimale. Sot ka tentuar të rimarrë sërish veten , ndërsa është rritur minimalisht me 0.1 lekë për njësi dhe këmbehet sot për 124.3 lekë.
Ndërkohë, dollari amerikan dhe franga zvicerane po ashtu janë zhvlerësuar ndaj monedhës kombëtare, lekut, respektivisht me 0.2 dhe 0.4 lekë për njësi. Ndërsa ka regjistruar një rritje të lehtë dollari kanadez me 0.2 lekë për njësi dhe këmbehet sot në pikat e këmbimit valutor për 83 lekë.