Banka e Shqipërisë nuk ka arritur të marrë asnjë vendim në mbledhjen e saj të radhës të datës 21 nëntor, për shkak 6 prej 9 anëtarëve të saj u ka mbaruar mandati dhe të rinjtë nuk janë zgjedhur ende.
Këtë e ka bërë të ditur vetë banka në një njoftim të shkurtër për shtyp: “Në datë 21 nëntor 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, si dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatorja e Dytë, zj. Natasha Ahmetaj dhe z. Tonin Kola, zhvilluan një takim informues, ku u njohën me aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë.
Në këtë takim, u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare, si dhe u mor informacion mbi: (i) administrimin dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë; (ii) zbatimin e politikës monetare; (iii) mbarëvajtjen e sistemit bankar dhe financiar; dhe (iv) gjendjen e tregjeve të parasë dhe valutore.
Gjatë takimit nuk u morën vendime, dhe çështjet e planifikuara për vendimmarrje në mbledhjet e muajit nëntor do të trajtohen në mbledhjet e ardhshme, atëherë kur Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të ketë numrin e nevojshëm të anëtarëve për zhvillimin e mbledhjeve dhe marrjen e vendimeve përkatëse”, përfundon njoftimi i Bankës.
Gjashtë anëtarëve që u mbaroi mandati në nëntor të këtij viti, janë:
-Dhori Kule është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.
–Ela Golemi është zgjedhur anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor 2011 dhe nga muaji gusht 2015 është anëtare edhe e Komitetit të Auditimit të Bankës së Shqipërisë.
-Elisabeta Gjoni është Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012. Ajo është edhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit nëntor 2011.
-Petraq Milo është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në nëntor të vitit 2011
–Arben Malaj zëvendësoi mandatin e Ermelinda Meksit
–Denada Prifti ka marrë mandat zëvendësues në nëntor 2014
Sipas Ligjit të Bankës së Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë përbëhet nga 9 anëtarë. Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, ku pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, tre nga Këshilli i Ministrave dhe një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave kanë nisur ndërkohë procedurat për zgjedhjen e propozimeve të tyre përkatëse.
Në Kuvendin e Shqipërisë, që do të bëjë tre propozime janë paraqitur 15 kandidatura: Vjollca Braho; Bardhyl Çeku; Leontijev Çuçi; Sulo Hadëri; Artan Hoxha; Altin Hoti; Oljan Kanushi; Genc Koxhaj; Arben Malaj; Visar Malaj; Luljeta Minxhozi; Ergys Misha; Nikollaq Pano; Drini Salko; Arben Xibri.
Ndërsa Këshilli i Ministrave nuk ka publikuar ende propozimet e tij.