Buxheti dhe Paketa Fiskale 2019, biznesi: Ka kosto “të fshehta” për qytetarët dhe bizneset

Hënë, 26 November 2018 14:31

Biznesi ka argumentuar këtë të hënë në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, se nga ana e qeverisë nuk janë marrë parasysh propozimet e tij për Paketën Fiskale 2019, ndërkohë që ka bërë pak komente për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Përfaqësues të shoqatave të ndryshme në vend kanë ngritur shqetësimin se disa taksa, në mënyrë indirekte, do të kalojnë te blerësi fundor, pra qytetari, siç është ajo e taksave që i janë ngarkuar vit pas viti sektorit të ndërtimit. Luigj Aleksi, përfaqësues i Shoqatës së Ndërtuesve, tha se sektori i ndërtimit vuan sot disa shqetësime lidhur me ndryshimet ligjore që nuk janë përmirësime, që ndikojnë në rritjen e fitimit, por që i ngarkohen blerësit.

“Taksa e infrastrukturës, që i paguhet bashkisë, ka qenë 5% mbi kosto, shtohet 100 euro për metër katror. Nga kjo taksë nuk zbriten punimet që bëhen. Ndërtuesi bën infrastrukturën me paratë e veta. Fuqia punëtore për ndërtimin e një pallati është e barabartë që për një vit të mos të punojnë 200 punonjës. Problemi i dytë është 3% i strehimit social, që është minimumi 20% e fitimit. Ndërtuesit i bëhet diskriminim, sepse ngarkohet me këtë taksë, ndërkohë që nuk jemi kundër ndikimit dhe kemi pranuar më mirë të rritet si taksë. Problemi i tretë është taksa e dheut, dheu në Shqipëri konsiderohet inerte e rrezikshme.

Dherat vetëm nga zonat e kontaminuar quhet mbetje e rrezikshme këtu tek ne nuk merret parasysh. Taksa e pronës, banesat stok do të taksohen me taksën e pronës, ndërkohë që ai është mall, e kemi ngritur në Ministrinë e Financave duhet riparë me kujdes. Për ne ndërtuesit, problemi kryesor është prokurimi publik që duhet të rregullohet sa më parë. Për shembull, një rast konkret tek rikonstruksioni i shkollës “Dritëro Agolli” kërkohen 11 inxhinierë dhe mes tyre dhe një inxhinier pyjesh, pagesa është më e madhe sesa vlera e ish-objektit”, tha Aleksi.

Edhe për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë ka disa pika që duhet të shihen me kujdes, ndërkohë që nismat ligjore që mbartin kosto për biznesin duhet të kalojnë në debat më të gjerë. “Për sa i përket rimbursimit të TVSH, akcizës do të sjellë një problematike që na shqetëson. Vlerësojmë nismën e qeverisë për taksimin e sipërmarrjes, por vëmë re që kanë lindur një sërë nismash ligjore që edhe pse nuk shprehen, përfaqësojnë një taksë të fshehur. Bëhet fjalë për ligje pa konsultim publik, siç ishte ajo mbi sigurinë publike. E konsiderojmë një taksë ku përfshijnë të gjitha bizneset që kanë xhiro mbi 10 mln lekë. Përveçse sipërmarrësi nuk është i ndërgjegjshëm, nuk ka vetëdije sesa telekamera vendos në atë vend, me ironi do të thosha është një ligj që bëhet për ata që shesin telekamera. Ne kemi bërë sondazh dhe asnjë shtet nuk na rezulton të ketë një ligj të tillë. Të rishikohet ky ligj, pasi ka kosto për biznesin. Në Itali po diskutohet ligji “Për mbrojtjen civile”. Ne u vumë në dijeni nga shtypi, në këtë rast vetë biznesi ka një kosto shtesë se çfarë duhet të bëjë në rast të një fatkeqësie natyrore”, thanë përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, tha se duhet të shihen me kujdes taksat për çështjet e gjyqësorit, ajo e zhavorrit si dhe taksa e kalimit të kapitalit jashtë.

Presidenti i Business Albania, Luan Bregasi, nga ana tjetër u shpreh se biznesi sot përballet me kosto të larta të ujit dhe energjisë në kushtet kur humbjet në rrjetet e secilës mbeten të larta. “Jemi vendi i vetëm në rajon që biznesi ka çmimin e energjisë dyfish, por nëse humbjet në rrjet janë ulur, të na ulin dhe ne taksën. Të gjitha propozimet ne i kemi bërë, për shembull akcizë për qelqin nuk ka asnjë vend në botë apo për pullat për solarin që jemi të ngarkuar nga pikëpamja fiskale. Të shihet seriozisht mungesa e konkurrueshmërisë, sepse jemi në konkurrencë me vendet e rajonit” tha Bregasi.

Agim Rrapaj nga Këshilli i Agrobiznesit tha se është ulur ndjeshëm buxheti për sigurinë ushqimore. Lidhur me mbetet e kafshëve, ai ngriti si shqetësim që nuk ka fonde dhe janë 1 milion tonë mbetje dhe në këtë kontekst, Rrapaj propozoi që të shtohet një zë në buxhet për mbetjet organike.

Login to post comments