Seanca gjyqësore nga ku do të merret masa e sigurisë ndaj 18-vjeçarit Daniel Drobaj, po zhvillohet me dyer të mbyllura, ndërsa janë nxjerrë jashtë edhe deputetët e opozitës.
Ka qenë Kreshnik Ajazi një nga prokurorët e çështjes që ka kërkuar që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, gjë që është kundërshtuar nga deputetë e opozitës, duke mos dalë nga salla. Kjo ka bërë trupin gjykues të ndryshojë sallën, e të vijojë më tej seancën me dyer të mbyllura.
Pas kësaj kanë reaguar edhe deputetë e opozitës të cilët ndodhet tek Gjykata e Tiranës. Deputeti demokrat Flamur Noka, u shpreh para kamerave, se kjo po bëhet për të fshehur provat e dhunimit të 18-vjeçarit nga policia.
“Nxjerrja jonë u bë për shkak se duan të fshehin dhunën e ushtruar ndaj këtij djaloshi. Por Edi Rama nuk mund të fshehë asgjë, ja ku e keni me prova.
Opozita është e vendosur për të mbështetur deri në fund banorët, janë qytetarë të Tiranës, qytetar të këtij shtetit, dhe ata meritojnë të mbështeten deri në fund për pronën e tyre.
Ne jemi të vendosur deri në kompensimin e tij deri në 1”, – tha Noka.
Nga ana e tij, deputeti i LSI-së Endrit Braimllari, mbajti të njëjtin qëndrim me deputetin demokrat, ndërsa shtoi se nga seanca është nxjerrë edhe përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, ndërsa e quajti këtë gjyq, “tipik politik”.
“Sot Edi Rama urdhëroi që të bëhej gjyq me dyer të mbyllura, është tipik gjyq politik. Kjo u bë për të fshehur provat e dhunimit të Daniel Drobajt. Është e turpshme dhe ky është gjyq tipik politik, për të frikësuar qytetarët. Është gjyq ndaj një djali me mesatare 9.6.
U nxor jashtë edhe përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, kjo për të mos lejuar që të faktohet dhuna e ushtruar ndaj 18-vjeçarit”, – tha ndër të tjera Braimllari.