Depozitat “pa interes” – 49.3% sjellin të ardhura simbolike

Hënë, 03 December 2018 16:31

Afërsisht gjysma e depozitave në sistemin bankar sjellin të ardhura të papërfillshme ose 0 për përfituesit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat përbëjnë pothuajse 50% të totalit. Për këto lloj depozitash, interesi është zero ose në nivele simbolike, sepse janë fonde likuide që mund të transferohen ose tërhiqen në çdo kohë nga titullari i llogarisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i llogarive rrjedhëse në lekë aktualisht është 0.1%, ndërsa për ato në euro norma e interesit është 0.

Këtu përfshihen kryesisht llogaritë e punës të bizneseve dhe individëve, si edhe një pjesë depozitave të cilat mbahen nga titullarët të hapura për tërheqje në çdo kohë. Këto llogari nuk janë investime të mirëfillta, por formë e mbajtjes dhe ruajtjes së parave brenda sistemit bankar.

Në vitet e fundit, pesha e depozitave të transferueshme është rritur, edhe për shkak të normave të minimale të interesit. Në mungesë të përfitimeve domethënëse, shumë individë nuk kanë pasur nxitje t’i mbyllin paratë në depozita me afat. Në fund të tetorit, llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat përbënin 49.3% të totalit të depozitave bankare, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë zinin 45.5% të totalit. Gjithashtu, rritja e tyre është edhe tregues i rritjes së gjendjes së llogarive dhe depozitave të biznesit. Në veçanti, projektet e mëdha të investimeve të huaja kanë sjellë më shumë fonde në valutë në llogaritë e sipërmarrjeve.

Për sa i takon bankave, këto fonde kanë një anë pozitive dhe negative. Pozitive është se ato paguajnë norma interesi shumë të ulëta dhe kanë kosto shumë të ulëta nga përdorimi i tyre. Por, nga ana tjetër, rritja e detyrimeve në formë likuide krijon probleme të qëndrueshmërisë dhe vështirësisë për të investuar në asete afatgjata dhe kryesisht në kredi. Banka e Shqipërisë ka sugjeruar që bankat kërkojnë mënyra alternative financimi, si obligacionet. Credins Bank po i përdor këto instrumente prej më shumë se pesë vjetësh. Obligacionet kanë kosto më të larta se depozitat, por ato nuk mund të shlyhen para afatit, çka ul rrezikun e likuiditetit për bankën.

Login to post comments