Investimi më i madh që nga paslufta në industrinë e prodhimit dhe eksportit 100% të të gjithë kapacitetit prodhues përmes teknologjisë ka filluar të marrë formë në Kosovë.
Njëherazi, ky investim dhjetëra-milionësh, del të jetë projekti më i madh në industrinë e ndërtimeve modulare nga druri për nga kapaciteti prodhues në Rajon dhe Evropë, duke u rreshtuar krahas kompanive më me renome botërore, shkruan Insajderi.
Fabrika “BP home investment” do të merret me prodhimin shtëpive modulare nga druri. Synon të eksportojë mbi 1000 shtëpi në vit, të gatshme për banim me destinacion Evropën dhe Amerikën.
Projekti gjendet në dalje të Prishtinës – Komuna e Obiliqit dhe shtrihet në një sipërfaqe toke prej 140.000 m2, dhe përmban dy fabrika me sipërfaqe totale prej 40.000 m2 (20.000 m2 + 20.000 m2) dhe 5.700 m2 zyre/administratë, me ç’rast do të mundësohet punësimi i qindra punëtorëve.
“Shtëpitë-ndërtimet modulare nga druri njihen për shpejtësinë dhe cilësinë e ndërtimit, pasi që të njëjtat ndërtohen në fabrikë dhe montohen në pozicionin final tek vendi i shtëpisë, duke kursyer kohë dhe koston për m2 prej 30-50% të ndërtimit. Fleksibiliteti i projektimit në anën tjetër ofron mundësinë e shfrytëzimit maksimal të hapësirës ku do të montohen shtëpitë, ndërsa ajo që vlen të theksohet është se shtëpitë janë eco-green, shtëpi të mençura dhe në përputhshmëri me kodin e ndërtimit: ZERO-CODE, pasi që të njëjtat shfrytëzojnë nxehtësinë dhe ftohjen pasive përmes izolimit me standarde të larta që vendoset në to”.
Gjithë investimi do të përmbyllet për 8 muaj ndërsa shtëpia e parë do të dalë nga prodhimi në prill/maj 2019.