Sistemi bankar me fitim – 15.4 miliardë lekë për 10-mujorin

Hënë, 10 December 2018 19:19

Sistemi bankar shqiptar zgjeroi më tej fitimet gjatë muajit tetor. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 10 muaj fitimi i përbashkët i bankave tregtare arriti në 15.4 miliardë lekë, në rritje me afro një miliard lekë krahasuar me nëntëmujorin. Sidoqoftë, këtë vit fitimet janë larg niveleve rekord të vitit të kaluar, kur për 10 muaj bankat fitonin afro 19 miliardë lekë. Përfitueshmëria e sistemit bankar shënon një kthim nga kapitali në nivelin 13.1%, normë kjo e kënaqshme për ciklin ekonomik.

Megjithatë, një tipar që po thellohet në vitet e fundit është polarizimi në rritje i performancës së bankave, ku fitimet gjithnjë e më shumë po përqendrohen në pak banka, sidomos te BKT dhe Raiffeisen. Për bankat e tjera, fitimet, qoftë në vlerë absolute apo kthim nga kapitali i investuar, përgjithësisht janë më të ulëta.

Madje, pothuajse gjysma e bankave janë me humbje, të paktën mbështetur në rezultatet e 9-mujorit. Kjo tregon se sistemi vazhdon të ketë sfida, sidomos të lidhura me ri ngritjen e kreditimit dhe me uljen e mëtejshme të raportit të kredive me probleme. Kriza ka goditur ndjeshëm kreditimin e korporatave dhe sistemi bankar ende nuk po arrin të rrisë kredinë për bizneset. Portofoli i kredisë, në vlerë absolute, është pranë vlerave të vitit 2011, ndërsa në terma realë kredia tashmë ka rënë në rreth 32% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët në 15 vjet.

Kredia po frenohet edhe nga zhvillimet strukturore në sistemin bankar, që po kalon një fazë shitblerjesh dhe konsolidimi. Numri i bankave ka rënë nga 16 në 14, ndërkohë që pritet të ulet më tej vitin e ardhshëm. Përfshirja e shumë bankave në këtë proces ka zhvendosur fokusin e tyre nga rritja përmes kreditimit në menaxhimin e proceseve të shitblerjes së aksioneve.

Login to post comments