Kush është rektori që po mban ‘’peng’’ studentët në takimin me Ramën

Tuesday, 18 December 2018 11:54

Paraditen e së Martës, Kryeministri Edi Rama u paraqit në një takim me pedagogë dhe studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ai duket se është ftuar nga rektori i Universitetit, Bahri Musabelliu, pa bërë asnjë njoftim paraprak për studentët.

Prania e kryeministri ka shkaktuar irritimin e studentëve, të cilët kanë deklaruar në takim se “nuk kishin asnjë dijeni që në takim do të ishte edhe kryeministri”. Studentët kanë pranuar që të zhvillojnë një takim me rektoratin, në të cilin do të prezantonin kërkesat e tyre për uljen e tarifave, si edhe për përmirësimin e kushteve të mësimdhënies.

Por, ata janë përballur me surprizën e hidhur, kur, në krah të rektorit Musabelliu, është gjendur, si “fanti spathi” edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit, duke aplikuar stilin e tij autokratik, ka filluar monologjet e tij të gjata, të cilat studentët nuk i kanë kapërdirë.

Kjo manovër e rektorit Musabelliu i ka vënë studentët në pozitë të vështirë, të cilët kanë refuzuar që zhvillojnë dialog me kryeministrin, duke e lënë atë që të flasë e të përgjigjet vetë.

Në këtë takim, studentët kanë shprehur edhe pakënaqësinë e tyre për rektorin, i cili u tregua i pabesë, duke i vendosur Ramën përballë, pa dëshirën e tyre.

Bahri Musabelliu shënoi rastin e parë të thyerjes së protestës. Ai u vendos nën shërbim të kryeministrit Rama, i cili nuk po arrin të ulë në tryezën e dialogut studentët protestues.

Pak javë më parë, emri i Bahrmi Musabelliut u bë publik në media nga pedagogu Dardan Shehdula. Ai akuzoi rektorin e universitetit bujqësor për paaftësi dhe nepotizëm. Pedagogu Shehdula, në një letër publike, deklaroi se ishte i paaftë për t’iu përshtatur mediokritetit që karakterizon stafin drejtues të Universitetit Bujqësor.

Pas kësaj situate me pedagogun, rektori Musabelliu shndërrohet sërish në personazh mediatik, sërish për keq, kur planifikoi dhe zbatoi planin e kryeministrit për të zhvilluar një dialog me studentët, të cilët nuk kanë aspak dëshirën për të dëgjuar monologjet e Edi Ramës./“Boldnews.al”

Login to post comments