Taksa e ndërtesës në Tiranë me faturën e ujit, deri në 2021 do paguhet 4 herë më shumë

Tuesday, 18 December 2018 14:42

Bashkia Tiranë ka vendosur si agjent për mbledhjen e taksës së pasursë së paluajtshme Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime Tiranë. Brenda katër muajve të gjithë qytetarët duhet të shkojnë të bëjnë vetëdeklarimin e sipërfaqëve që kanë në pronësi apo përdorim, informacion që më pas do të verifikohet nga Ujësjellësi.

Në një vendim të fundit, që pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak të kryeqytetit përcaktohet shoqëria aksionare Ujësjellës Kanalizime Tiranë, në rolin e agjentit të mbledhjes së taksës së pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, që përdoret apo shfrytëzohet për qëllime banimi në Bashkinë e Tiranës.

Sipas vendimit, Shoqëria “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sha me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, për efekt të përcaktimit të bazës së taksës për ndërtesën, njofton të gjithë taksapaguesit që brenda një afati 4 mujor duhet të paraqiten pranë zyrave të kësaj shoqërie për të kryer vetëdeklarimin mbi të dhënat e pasurisë së paluajtshme që ka në pronësi apo në përdorim.

Me kalimin e këtij afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij vendimi, shoqëria “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sha fillon procesin e përpunimit të informacionit të vetëdaklarimit të taksapaguesit për qëllim të zbatimit të akteve ligjore dhe nënligjore mbi taksën e pasurisë së paluajtshme. Informacioni duhet të përpunohet brenda një periudhe kohore jo më të gjatë se 3 muaj.

Në bazë të vendimit, Shoqëria “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sha merr masat për krijimin e bazës së të dhënave për pasuritë e paluajtshme që përdoren/shfrytëzohen për qëllime banimi, duke përdorur dhe siguruar të gjithë informacionin nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ALUIZNI, si dhe çdo entitet tjetër shtetëror apo privat.

Shoqëria “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sha në rolin e agjentit të mbledhjes së taksës së pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, që përdoret apo shfrytëzohet për qëllime banimi përfiton një komision prej 5 (pesë) % mbi të ardhurat e arkëtuara nga taksa e ndërtesës”.

Familjet do paguajnë 2.5 herë më shumë në 2019-, katër herë deri në 2021

Taksa e pasurisë është ndër burimet më me peshë në buxhetin e Bashkisë Tiranë dhe përbën 18% të totalit të të ardhurave të veta. Me ndryshimet e fundit ligjore, të datës 1 Prill 2018, taksa e ndërtesës ka marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur tek vlera e banesave. Niveli i taksës i shprehur në përqindje si për ndërtesat që përdoren për banim në masën 0.05% edhe për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari ekonomike në masën 0.2%, aplikohet mbi vlerën e ndërtesës (çmimi i shumëzuar me sipërfaqe), thuhet në relacionin që shoqëron këtë vendim.

Sipas tabelave në relacionin e projektbuxhetit 2019, në vitin 2019, të ardhurat nga taksa e ndërtesës janë parashikuar në vlerën 2.4 miliardë lekë, nga 1.78 miliardë lekë që është pritshmëria për 2018-n, me një rritje prej 34%. Pas taksës së infrastrukturës, ky është zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura në buxhet, me rreth 18% të totalit.

Rritja më e ndjeshme parashikohet për familjarët, nga 220 milionë lekë, që pritet të mblidhen në 2018-n, në 510 milionë lekë në 2019-n. Edhe në vitet e ardhshme, fatura do të jetë gjithnjë e më e shtrenjtë, pasi të ardhurat nga kjo taksë nga familjarët pritet të arrijnë në 900 milionë lekë në 2021, me një rritje më shumë se 4 herë, në raport me atë që pritet të paguajnë deri në fund të këtij viti.

Në fakt, Bashkia parashikonte të mblidhte 510 milionë lekë nga familjarët që në 2018-n, teksa formula e re e llogaritjes së taksës mbi bazë të vlerës hyri në fuqi që në mars, por që nuk u arrit të zbatohej për shkak të problemeve teknike (agjentin që do i mblidhte dhe përcaktimin e vlerës së ndërtesave në mungesë të një kadastre fiskale). monitor.al

1beaec30ee8cd41f3879fcb1406224fc XL

Modifikuar më Tuesday, 18 December 2018 14:46
Login to post comments