Ankesat për pronat, KLSH: Protokolli i ATP në tre vite një lëmsh më vete

Premte, 21 December 2018 14:33

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka audituar së fundmi Agjencinë për Trajtimin e Pronës dhe mes një serie problematikash ka konstatuar edhe atë që lidhet me ankesat, kërkesat apo informacionet për dosjet që janë kërkuar nga qytetarët dhe që janë regjistruar në protokoll. Të dhënat tregojnë se specialistët e protokollit kanë mbajtur dokumentet duke mos respektuar një format të caktuar. Ndërkohë në renditje janë lënë numra bosh çka mund të përdoren për të trajtuar në mënyrë të padrejtë kërkesa që vijnë më vonë dhe regjistrohen me një numër të hershëm duke krijuar kështu një bazë për abuzim.

Në regjistrat mbajtur gjatë vitit 2016, 2017 dhe viti 2018 mbi kërkesat, ankesat, informacionet për dosjet sipas KLSH është konstatuar se këto regjistra janë të pa vulosur, nuk përmbajnë numrin e fletëve, nuk përshkruhet se nga cili specialist është mbajtur, nuk kanë të mbushura kolonat përkatëse me të gjithë modalitetet e duhura, formati ka qenë në forma të ndryshme, sipas mendimeve individuale të specialistëve të protokollit, janë mbajtur me qindra nr. protokolli bosh dhe vazhdohet në numra rendore të tjerë.

“Konkretisht, regjistri i mbajtur në periudhën Qershor – Tetor 2016, fillon me nr. rendor 6553 dhe vazhdon me nr. 6622 pra janë 69 nr. protokolli bosh, regjistruar një person në nr.6662 dhe vazhdon në nr.6689 dhe 6691 dhe përsëri ka numra bosh deri 6795. Pra, në total janë 104 vende bosh ku mund të regjistrohen persona edhe po të kenë ardhur më vonë, rendi kronologjik nuk mbahet sipas radhës. Në rendin numerik(radhitja) të fletëve janë rreth 30 fletë të pambushura dhe janë mbajtur nr. Protokolli bosh, të cilat bëhen në çdo kohë bazë dokumentare abuzimi” vlerëson KLSH.

Lidhur me këtë situatë ky institucion rekomandon që të regjistrat e protokollit të përshtaten sipas asaj që kërkon kuadri ligjor. Ngritja e një komisioni shihet me vend për të ezauruar vendet që janë lënë bosh duke i nxjerr ato(numrat rendor dhe fletët) jashtë funksionit, duke vënë shënimin e veçantë “Pavlefshme çdo shënim” me shënimin, pasqyruar këto në proces verbal, duke krijuar pengesën administrative për mospërdorimin e tyre si vende që mbartin veprime korruptive e plotësojnë interesa të veçanta të personave të interesuar. Po kështu është rekomanduar që të respektohen numrat rendorë dhe fletët në vijimësi në mënyrë kronologjike e numerike sipas radhës që paraqiten qytetarët.

Login to post comments