Ndriçim Mehmeti, ekspert i politikave arsimore, thotë se ligji i ri për arsimin e lartë më 2015 asgjësoi përfundimisht autonominë e universiteteve, duke e vënë atë nën thundrën e Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë.
Si mund të përmirësohet situata dhe çfarë duhet bërë me tarifat.
Zoti Mehmeti, pse ka dështuar reforma në arsimin e lartë?
Së pari, nuk ka pasur reformë, por thjesht një ligj që u shit si një reformë e që u hartua, përpunua dhe mori vulën mes një grupi të vogël njerëzish që sot i kanë ikur përgjegjësisë.
Së dyti (që mund të ishte e para) ky ishte krim i paralajmëruar. Që në krye të herës, akademikë e specialistë, kërkuan që ky ligj të mos miratohej se do të kishte probleme të mëdha. Qeveria dhe posaçërisht kryeministri Rama, dëgjoi vetëm veten, miratoi një ligj të keq, i cili, kishte këto të meta në parim:
* i referohej një sistemi krejtësisht të ndryshëm nga ai shqiptar sikundër ishte ai britanik. Ne jemi krejt ndryshe dhe shumë vite drite larg autonomisë;
* Kreu XII i ligjit 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, asgjësoi përfundimisht autonominë e universiteteve duke e vënë atë nën thundrën e Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë. Bordet e Administrimit kaluan në dorë të MASR dhe autonomia e IAL, nuk ishte vetëm një zgjedhë qeveritare, që vuri në konflikt të hapur studentët me drejtuesit e universiteteve.
Çfarë masash duhen marrë që të rikthehet integriteti i Universitetit?
Rrëzimi i ligjit të arsimit është hapi i parë. Decentralizimi i drejtimit të Universitetit, duke rritur numrin e anëtarëve të Bordit të Administrimit në favor të universitetit dhe të studentëve, si dhe MASR të mbajë vetëm rolin e mbështetësit dhe monitoruesit të zbatimit të ligjshmërisë në institucionet e Arsimit të Lartë Publik (IAL).
Një tjetër masë do të ishte rritja e financimeve për të ngritur në nivelet më të mira mësimdhënien, që çon drejt një arsimi cilësor, pra më shumë biblioteka, salla leximi, laboratorë etj. Pa dyshim, një masë emergjente do të ishte sigurimi i grantit të pagave nga shtetit përmes MASR dhe rritja progresive e pagës së pedagogut në Shqipëri, e cila është më e ulët se ajo e pedagogut në Kosovë, si dhe e krahasueshme me pagën e mësuesit në shkollë të mesme.
Si mund të ofrojë arsim të lartë falas qeveria pa rënduar në mënyrë të drejtpërdrejtë familjarët dhe studentët, në kushtet kur buxheti i shtetit nuk e mundëson këtë financim?
Që të jem i qartë që në fillim, unë nuk jam për një arsim të lartë tërësisht falas. E thënë në këtë mënyrë, jam po aq kundër sa të gjithë studentët për tarifat që janë sot. Natyrisht që qeveria ka detyrimin e plotë të financojë studimet dhe koston normale të jetës së një studenti në nevojë dhe që ka arritur rezultate të mira në shkollë dhe që nuk ka detyrime të prapambetura. Por qeveria nuk mund ta mbajë kurrë këtë barrë, për aq kohë sa ka një buxhet qesharak për arsim.
Me 0.4% të PPB, që shpenzon qeveria jonë për arsimin e lartë, nuk ka asnjë gjasë që të ndërmerren reforma serioze në arsim. Buxheti 5% është një fillim i mbarë drejt një arsimi cilësor në tërësi dhe atij universitar në veçanti. Sigurisht që janë edhe masa të tjera që duhet të ndërmerren, të cilat lehtësojnë barrën e familjeve shqiptare, duke mundësuar më shumë akses në arsimin e lartë, për një shkollim dinjitoz, jo diskriminues dhe të barabartë për të gjithë.