Kryepeshkopi Janullatos: Një pasiguri e përgjithshme është përhapur si re pluhuri bërthamor…

Hënë, 24 December 2018 10:08

Me rastin e Krishtlindjes, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos i është drejtuar me një mesazh popullit shqiptar. Kryepeshkopi ka uruar për Krishtlindje të bekuara teksa shprehet se Krishtlindja vjen të ofrojë antidotin e pasigurisë duke rigjallëruar mendjen dhe ndërgjegjen.

“Në shoqëri është përhapur pasiguria. Krishtlindja vjen të ofrojë antidotin e pasigurisë. Ndërgjegjësimi për praninë e Perëndisë heq pasigurinë. Viti i ri të jetë me sigurinë e pranisë së Krishtit”- thotë kryepeshkopi Anastas ndër të tjera në mesazhin e tij të urimit.

Mesazhi i plotë:

Një pasiguri e përgjithshme është përhapur si re pluhuri bërthamor në mbarë shoqërinë e sotme, duke shkaktuar vështirësi shqetësuese në frymëmarrje. Shumë përpiqen të përballen me të duke akumuluar pasuri materiale të çdo lloji. Të tjerë kërkojnë miq të fortë, njerëz me pushtet politik dhe ekonomik. Disa gjejnë strehë në ideologji të çuditshme fetare me origjinë aziatike. Me mënyra të shumëllojta njerëzit synojnë të fitojnë siguri.

E kremtja e Krishtlindjes vjen që të na ofrojë antidotin e efektshëm kundër virusit të pasigurisë, të rigjallërojë në mendjen dhe në ndërgjegjen tonë një të vërtetë që shpesh harrohet se “Perëndia është me ne”. Pikërisht ky është kuptimi i emrit të Shpëtimtarit që po vjen: “Emanuel”. Fjala e Perëndisë “u bë mish dhe banoi ndër ne” (Jn. 1:14).

Kjo përbën përvojën thelbësore të Kishës: Perëndia i pafund dhe i pakonceptueshëm, nuk e braktisi botën dhe nuk e la të vetme kundër fuqive të urrejtjes dhe egocentrizmit. Biri dhe Fjala e Perëndisë mori natyrën njerëzore. Sipas shën Vasilit të Madh, Ai erdhi në tokë “për ta sjellë tërë njerëzimin te vetja”, për ta rilidhur me Krijuesin e tij, Perëndinë personal, “i cili është dashuri”.

Shumë njerëz e hedhin poshtë zbulesën në Krishtin, duke mbështetur mendimin se gjithësia drejtohet nga një Mendje dhe Fuqi e Epërme jopersonale. Aftësi intelekti disponon edhe njeriu, krijesa më e përsosur në botë, por karakteristikë e tij e veçantë është vetëndërgjegjësimi i tij, se është person. Përse ata, të cilët i referohen në mënyrë abstrakte një Fuqie të Epërme, e duan të jetë jopersonale? Përse e mohojnë faktin se ky Realitet i Epërm është njëkohësisht një Person, me vetëndërgjegjësim, që na siguron, sipas shprehjes biblike, se është “Ai që është”, “Ai që ekziston”?

Ne të krishterët besojmë se Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë nuk është një fuqi jopersonale, abstrakte, por është Perëndia i Gjallë, i Cili zbulohet me dëshirën e Tij dhe krijon një marrëdhënie dashurie me njeriun. Kisha nuk kërkon ta imponojë këtë të vërtetë. Veçanërisht, gjatë së kremtes së madhe të Krishtlindjes, e shpall në mënyrë lavdëruese, duke na ftuar t’i afrohemi esencialisht me besë të nxehtë dhe dashuri autentike.

* * *

“Ja, Krishti lind, lavdërojeni… Ja, Krishti mbi dhenë, ngrihuni.”

Lartësimi shpirtëror më Krishtin nuk kryhet automatikisht. Fillimisht, ka si kusht paraprak besimin. Dhe e kremtja e Krishtlindjes kërkon të na zgjojë për ta pranuar personalisht Jisu Krishtin, si Shpëtimtar, si Udhërrëfyes, si Frymëzues të mendimeve, të ndjenjave, të vendimeve dhe të veprimeve tona.

Kuptimi i thellë i pranisë së Tij të vazhdueshme, na paqëson dhe na jep kurajë, “nëse Perëndia është me ne, kush është kundër nesh?” (Rom. 8:31). Kjo siguri shpërbën çdo ndjesi pasigurie, duke ofruar ngushëllim, fuqi dhe shpresë. Dhe besimtari përsërit me gëzim paqësor psalmin: “Sepse edhe po të eci në mes të hijes së vdekjes, nuk do të kem frikë nga ndonjë e keqe, se ti me mua je” (Ps. 22).

* * *

“Ja, Krishti mbi dhenë, ngrihuni.” Jisu Krishti nuk erdhi si një profet i thjeshtë për të fshikulluar dukuritë negative, nuk na dha thjesht një sistem të ri idesh dhe parimesh. Ai erdhi për të na lartësuar, për të na bërë bij të Perëndisë, “që të marrim birësinë” (Gal. 4:5). Dhe pikërisht kjo kryhet me anë të besimit, “sepse të gjithë jemi bij të Perëndisë me anë të besimit, që është në Jisu Krishtin” (Gal. 3:26). Siç e përmbledh në mënyrë tronditëse Ungjillor Joani, duke iu referuar ardhjes së Mesisë, “Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij, të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që i beson atij, po të ketë jetë të përjetshme” (Jn. 3:16).

Marrëdhënia me Krishtin, esencialisht, është marrëdhënie dashurie, e cila formon një mënyrë jetese për të gjithë. Jisui e përcaktoi para Pësimit të Tij: “ai që ka porositë e mia dhe i ruan, ky është ai që më do; dhe ai që më do, do të duhet prej Atit tim; dhe unë do ta dua, dhe do të tregoj veten time tek ai” (Jn. 14:21). Të mira janë shprehjet e jashtme të shpresëtarisë dhe të adhurimit, por pasja e një marrëdhënieje esenciale dashurie me Krishtin, do të thotë që të bëhemi të njëtrajtshëm me llojin e dashurisë, që Ai e zbuloi me fjalën, jetën dhe sakrificën e Tij. Shën Joan Gojarti, duke komentuar himnin e apostull Pavlit “cili do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?” (Rom. 8:31-39), e përfundon duke thënë me guximin e tij të njohur: “Kjo është gjëja më e madhe nga të gjitha, ta kesh Krishtin edhe personin që ti e dashuron, edhe atë që të do ty”.

 

Nxënësi konsekuent i Krishtit nuk kufizohet duke u marrë vetëm me veten e tij. Paralelisht, ai ndien detyrimin të luftojë për drejtësinë, të vërtetën, pajtimin dhe paqen në ambientin e tij të ngushtë dhe më gjerë, duke kontribuuar në kohezionin e sigurt social. Nuk kufizohet vetëm në detyrat e jashtme fetare. Nuk harron se, “të bësh drejtësi dhe të jesh i vërtetë, është më e pëlqyer për Perëndinë sesa blatimet me gjak” (Fjalët e Urta 21:3). Të gjithë e dimë se tronditja dhe pasiguria që helmojnë shoqërinë, mbahen në këmbë nga korrupsioni shumëformësh, të cilin e ushqejnë gënjeshtra, lakmia, egocentrizmi, arroganca. Pikërisht këto erdhi t’i përmbysë me praninë e Tij, Biri i bërë njeri dhe Fjala e Perëndisë. Bashkërendimi ynë me parimet që Ai përcaktoi, përbën garancinë më të madhe për sigurinë e jetës sonë dhe, më gjerë, të shoqërisë.

* * *

“Ja, Krishti lind, lavdërojeni…”, vë­llezërit e mi, “Ja, Krishti mbi dhenë, ngrihuni”. Krishti qëndron bashkë me ne, jo vetëm në orët e pendimit dërrmues dhe të adhurimit, por edhe në ditët e turbullta të dyshimit dhe të pafuqisë. Ndërgjegjësimi për praninë e Fjalës së mishëruar të Perëndisë shpërbën retë e pasigurisë, si dhe çdo frikë e shqetësim.

Le ta presim me besë dhe dashuri të ripërtërirë. Le ta lartësojmë në mënyrë adhuruese mendjen dhe zemrën tonë, duke kundruar Fytyrën e Krishtit të Dashur. Dhe njëkohësisht, le të punojmë për Ta njohur Atë edhe njerëzit e tjerë, afër dhe larg nesh. Krishti ofron antidotin e efektshëm kundër shqetësimit që krijon virusi i pasigurisë.

Krishtlindje të bekuara! Viti i Ri le të jetë i mbushur plot me sigurinë e pranisë së Krishtit në jetën tonë të përditshme dhe në ecurinë e botës.

Me dashuri të tërëshpirtshme në Krishtin Jisu, Shpëtimtarin tonë,

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...