Ky do të jetë fundviti i parë pas dekadash, pa fishekzjarre në përdorim personal dhe masiv.
Me vendim të tre ministrive përkatëse është urdhëruar ndalimi i tregtimit dhe përdorimit të tyre, për arsye sigurie.
Veç zhurmës dhe ngjyrave të fishekzjarreve në pjesën dërrmuese të shtëpive shqiptare, ky vit i ri do të privojë një industri të tërë; atë të fishekzjarreve.
Të dhënat zyrtare nga Instat tregojnë se zëri i fishekzjarreve në importe përkthehej në 682 milionë lekë importe, ose rreth 5 milionë euro.
Kjo kategori përfshin edhe eksplozivët, por që kanë një peshë të papërfillshme në vlerën e përgjithshme, raporton "scan".
Por, shifra nuk tregon vlerën reale të kësaj industrie në vendin tonë, pasi produktet shiten me pakicë me çmime bindshëm më të larta. Të dhënat e 11 muajve të këtij viti ndërkohë, flasin për shifër rekord importesh.
Paçka se, Dhjetori nuk është pjesë e shifrës totale, kemi të bëjmë me një rekord historik.
Në vetëm 11 muaj janë importuar pak më shumë se 700 milionë lekë fishekzjarre, ose rreth 5.8 milionë euro, më shumë se çdo vit tjetër i plotë. Pra, pikërisht në vitin që u vendos ndalimi i tregtimit të tyre, duket se tregtarët shqiptarë kanë importuar sasinë më të madhe ndonjëherë të këtyre produkteve.