Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, s’le rast pa u fanepsur në ekrane, madje edhe sot që janë Krishtlindjet. ‘Viktimë’ e propagandës së tij kësaj radhe janë fëmijët jetimë të shtëpisë ‘Zyber Hallulli’ në Tiranë. Veliaj i kishte hapur dyert e zyrës së tij në bashki për disa prej tyre dhe iu shpërndau dhurata. Por kjo s’mund të bëhej pa kamera. Veliaj kërkon t’ia tregojë gjithë dynjasë që po jep dhurata për fëmijët jetimë.
Përulësia dhe modestia që predikojnë natyrisht edhe Krishtlindjet, për kryebashkiakun e Tiranës nuk kanë rëndësi. Cdo gjë që ai bën, e vë në funksion të propagandës së tij si kryebashkiak, duke përdorur edhe mediat klienteliste. Për shfaqjen e sotme të shëmtuar, Veliaj kishte zgjedhur emisionin ‘Ftesë në 5’ në Top Channel. Gati një orë speciale për të brenda këtij emisioni, ku përveç shpërndarjes së dhuratave për fëmijët jetimë, flitet edhe për rijetëzimin e Kalasë së Tiranës.LAPSI.al