Policia e Tiranës refuzon kërkesën e emigrantëve për tubim në kryeqytet në ditët e fundit të dhjetorit, ndërkohë presidenti i hapi dyert atyre.
Në një prononcim për median nga qyteti i Korçës, kreu i shtetit tha se të gjithë emigrantët janë të ftuar të protestojnë në oborrin e presidencës.
"Shqiptarët kanë protestuar dhe në diktaturë pavarësisht kostove të tmerrshme dhe nuk besoj se një gjë e tillë të ketë ndodhur, por edhe nëse ka ndodhur të gjithë janë të ftuar të gjithë emigrantët të protestojnë në oborrin e presidencës."
Paralajmerimi i protestes
Shumë emigrantë të cilët vinë në Shqipëri në këtë fundvit për pushime dhe jo vetëm kishin paralajmëruar protestë para Kryeministrisë me 28, 29 dhe 30 dhjetor.
Por në shkresën që mban firmën e drejtorit të policisë Tiranë, Kastriot Skënderaj, thuhet se një manifestim i tillë i kërkuar në datat 28, 29 dhe 30 dhjetor në intervale të ndryshme kohore në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" është i pamundur pasi pengon lëvizjen e mjeteve të emergjencës, qarkullimin e mjeteve të transportit publik dhe privat. Po kështu policia paralajmëronte se për veprime në kundërshtim me ligjin organizatori dhe pjesmarrësit në tubim do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.
Flet dhe per studentet
Presidenti komentoi dhe vendimet e fundit të qeverisë lidhur me kërkesat dhe protestat e studentëve.
Ilir Meta: Besoj se është shpërdoruar mjaft kohë e energji tepër e dobishme për të dhënë një zgjidhje të besueshme dhe afatgjatë probleme të arsimit të lartë dhe studentëve. Unë do të mbështesja cdo reflektim të sinqertë të thelluar të qëndrueshëm në këtë drejtim, që do të thotë se problemi zgjidhet vetëm përmes dialogut të sinqertë, jo provokues, jo ndarës, as intimidues dhe përmes një bashkëpunimi të besueshëm dhe konstruktiv.