Pikat e basteve ndryshojnë “lëkurën”, kamuflohen si kafene

Saturday, 29 December 2018 08:06

Nga 1 janari 2019 nuk do të shihni më pika bastesh dhe kazino elektronike të loguara, që ftojnë lojtarët të bëhen pjesë e kumarit. Por, ndërsa disa kompani janë mbyllur e të tjera kanë vendosur të emigrojnë drejt rajonit, shumë pak prej tyre kanë “sofistikuar” mbijetesën, duke u bërë të padukshme.
Ato janë licencuar në vende europiane, kanë hapur sajte online dhe pikat e tyre sekondare janë në Shqipëri, veçse këtë herë të “maskuara” si kafene. Skema e re e mbijetesës për kompanitë e basteve.

Vendimi i beftë i qeverisë për të mbyllur brenda datës 31 dhjetor 2018 kazinotë elektronike, bingot tradicionale dhe bastet sportive vuri nën presion këtë biznes që të gjente alternativa të tjera mbijetese. Aktorë të tregut konfirmojnë se veprimi i parë i ndërmarrë është ai i “eksodit” drejt rajonit, ku qasja ndaj këtij sektori nuk është në nivelet e konservatorizmit ku kaloi vendi ynë, të paktën në aspektin e kuadrit ligjor.

“Kompani të ndryshme kanë vendosur që të fuqizojnë pozitat e tyre në tregje të tjera, më shumë në rajon si në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoni. Sigurisht me një prezencë fillimisht të vogël që e kanë pasur dhe më herët dhe tani më masive, duke qenë se në Shqipëri u vendos mbyllja e plotë e tyre”, konfirmojnë të njëjtat burime. Edhe Shoqata Shqiptare e Basteve nënvizon se tendenca e kompanive ka qenë më së shumti për t’u zgjeruar në rajon dhe se shumica e tyre kanë firmosur kërkesat për mbylljen e pikave sekondare në vend.

Pothuajse të gjitha kërkesat për mbyllje janë dërguar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, e cila i firmos dhe i dërgon për procedim të mëtejshëm në institucionet e tjera, deri në mbylljen e plotë të aktivitetit. Kazinotë elektronike, nga ana tjetër, kanë vijuar të qetë punën e tyre, pasi procedurat për mbylljen janë më të shpejta. Gjasat që një pjesë e tyre të vijojnë punën deri më 31 dhjetor janë të mëdha, po të kemi parasysh që jemi në 10-ditëshin e fundit.

Disa biznese bëhen “të padukshme”, si funksionon skema

E ndërsa një pjesë kanë zgjedhur të migrojnë në vendet fqinje, duke shpresuar të zhvillojnë aty biznesin e tyre, të tjera duket se kanë preferuar “metamorfozën”, duke kaluar në variantin online. Disa kompani kanë hapur licencë në një vend europian dhe nëpërmjet kësaj licence, krijojnë mundësinë e sallave të basteve sportive (kafeneve) ku kryejnë shitje online, duke u dhënë user (të drejtë përdorimi) lojtarëve të interesuar.

Këta lojtarë mund të jenë individë ose një prej pikave që deri dje ka funksionuar me NIPT sekondar, si pikë basti, por që sot ka hequr logot e kompanive që përfaqësonte dhe është regjistruar në sajtet online të kompanive jashtë vendit ku përmes një username specifik (emri i përdoruesit) vijon aty aktivitetin e rregullt. Burime nga tregu konfirmojnë se kjo praktikë nuk është diçka e panjohur dhe ka nisur të përdoret në masë, duke qenë se tashmë 4300 pikat e dikurshme të basteve kanë dorëzuar kërkesat e tyre për mbyllje.

Por si funksionon në të vërtetë skema për lojërat online. Kompania X e licencuar jashtë Shqipërie në baste sportive ka të regjistruar në sistemin e saj pika sekondare, që funksionojnë si nën një NIPT aktiv si kafene në Shqipëri. Administratori i kafenesë regjistrohet në faqen online të kompanisë së basteve, duke marrë një username dhe duke regjistruar një kartë krediti të vlefshme, por nga e cila nuk kryhen kurrë transaksione. Paratë, në fakt, vijnë nga llogari bankare të hapura në banka të huaja, jashtë Shqipërisë dhe sigurisht shumat që luhen në këto raste janë të konsiderueshme dhe me risk më të madh, duke justifikuar edhe një fitim më të madh. Kjo është pjesa e parë e atyre që luajnë shumë dhe fitojnë shumë, por që shërbejnë si agjentë për pjesën e atyre që luajnë pak.

Të gjithë ata që deri më sot luanin 100 apo 200 lekë për skedina të thjeshta, vazhdojnë ta bëjnë këtë, duke paguar “cash” pranë pikës që ka llogarinë e saj të hapur online dhe që është lojtarja primare në këto sajte. Diferenca e vetme është që pagesa e parave, pra shumave të vogla nuk regjistrohet askund e për rrjedhojë, nga ana e shtetit nuk mund të taksohet asgjë. Lidhur me ambientin, salloni i kafenesë është një sallon tipik me televizorë në çdo anë ku luhen disa ndeshje, veçse nuk jepen rezultatet të afishuara në kohë reale, por ato mund të shihen online përmes telefonit.

Verifikimi me vizita në kohë reale pranë pikave të kësaj natyre, nga ana e autoriteteve rezulton gjithashtu një mision i pamundur. Shumat e parave që luhen “cash” mund të lëvizen në intervale të ndryshme ditore, duke lënë pak gjendje në arkë (sa për të justifikuar aktivitetin e kafenesë) ndërkohë që faqet online aksesohen përmes link-eve standarde dhe nuk kërkojnë shkarkimin e ndonjë programi të veçantë që mund të shihet në kompjuter nëse ai kontrollohet.

SKEMA

Kompania X e licencuar jashtë Shqipërie në baste sportive ka të regjistruar në sistemin e saj pika sekondare që funksionojnë si nën një NIPT aktiv si kafene në Shqipëri. Administratori i kafenesë regjistrohet në faqen online të kompanisë së basteve, duke marrë një username dhe duke regjistruar një kartë krediti të vlefshme, por nga e cila nuk kryhen kurrë transaksione. Paratë në fakt vijnë nga llogari bankare të hapura në banka të huaja, jashtë Shqipërie dhe sigurisht shumat që luhen në këto raste janë të konsiderueshme dhe me risk më të madh, duke justifikuar edhe një fitim më të madh.

Risku i informalitetit dhe a do të ketë padi kundër qeverisë

Kryetari i Shoqatës së Basteve Sportive, Artan Shyti, tha për “Monitor” se mbyllja e pikave të basteve ka vijuar normalisht. Kompanitë janë kujdesur që dy muajt e fundit ta fokusojnë vëmendjen te respektimi i kërkesave ligjore dhe shumica e atyre që operonin në treg tashmë kanë ulur qepenat para datës, që u vendos si finale nga ana e qeverisë.

Të gjendura të papërgatitura për këtë skenar kompanitë, sipas Shytit, kanë pasur me dhjetëra probleme për të zgjidhur, të cilat janë të lidhura me kontratat e punës me punonjësit, të cilat duhet të ndërpriten, kontrata me qiradhënësit të cilat kanë qenë afatgjata dhe ndërprerja e menjëhershme i penalizon.

Lidhur me një padi të mundshme kundër qeverisë për dëmin që u është shkaktuar kompanive, kryetari i Shoqatës së Basteve Sportive nënvizon se nuk ka një vendim final. “Kompanitë janë duke diskutuar pasi kjo është një çështje që duhet të çohet bashkë. Janë një sërë gjërash që kanë nevojë për kohë që të formësohen. Normalisht në momentin që iu është dhënë licenca dhe heqja bëhet në mënyrë të menjëhershme ka mjaftueshëm argument për ta kërkuar të drejtën në rrugë gjyqësore. Mendoj që janë duke e bërë gati dhe do ta çojnë dhe gjasat që të paguhet një faturë e kripur nga ana e shtetit janë të larta”, tha Shyti.

Ai nënvizon se me mbylljen e pikave të rregullta të basteve sportive, ajo që duhet të shihet me vëmendje është pjesa informale, e cila mund të përhapet gjerësisht. “Informaliteti do të jetë ndoshta në lulëzim pas këtij hapi, sepse është diçka që nuk e kontrollon dot, madje më pak nëse aktiviteti i rregullt mbyllet. Vende të zhvilluara si Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe Europa nuk i kanë mbyllur, por mundohen t’i rregullojnë dhe kontrollojnë, që do të thotë se Shqipëria nuk mund t’ia dalë të bëjë mbyllje totale, përfshirë të luftojë informalitetin”, shprehet Shyti. Në total, tregu i lojërave të fatit qarkullonte 130 milionë euro dhe ishte kontributor me të paktën 40 milionë euro si taksa në arkën e shtetit. Numri i të punësuarve në baste sportive dhe kazino elektronike llogaritet në rreth 9 mijë në total.

Informaliteti

Artan Shyti: Informaliteti do të jetë ndoshta në lulëzim pas këtij hapi, sepse është diçka që nuk e kontrollon dot, madje më pak nëse aktiviteti i rregullt mbyllet. Vende të zhvilluara si Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo edhe Europa nuk i kanë mbyllur por mundohen t’i rregullojnë dhe kontrollojnë, që do të thotë se Shqipëria nuk mund t’ia dalë të bëjë mbyllje totale, përfshirë të luftojë informalitetin

Më 1 janar 2018, 7 mijë punonjës do të mbeten pa punë, s’ka plan të qartë për punësimin

Një nga shqetësimet që u ngrit rëndom gjatë ditëve kur u njoftua mbyllja e menjëhershme e pikave të basteve dhe kazinove elektronike ishte numri i lartë i atyre që punonin në këtë sektor. Të paktën mbi 7 mijë të punësuar u deklaruan vetëm nga ana e pikave të basteve, por nga qeveria në atë kohë u fol për një plan që do t’i integronte këta punonjës në tregun e punës në variante të reja. “Dy fushata trajnimi për ata që mbeten pa punë. Ka shumë programe punësimi dhe sociale, por një pjesë e mirë e të punësuarve në këtë sektor do të gjejnë punë me zgjerimin e ekonomisë.

Po bëhet zgjerim ekonomik në disa sektorë”, do të shprehej ministri për Financat dhe Ekonominë, Arben Ahmetaj, gjatë mbrojtjes së ndryshimeve ligjore për lojërat e fatit. Edhe pse kanë kaluar dy muaj që nga ky argument, duket se grupi i atyre që punojnë pranë pikave të basteve, mbetet ende i painformuar se ku do të punojë, pasi derës t’i vendoset kyçi.

Endri 25 vjeç, i cili punon në një pikë bastesh tek “21-shi” shprehet se ka kërkuar për punë të re dhe shoqëria e vet i ka rekomanduar për të parë ndonjë opsion në call center, por shanset që të fillojë diku janë ende të vogla. “Studimet i kam kryer për inxhinieri pyjore, por e vetmja punë që gjeta për të paguar qiranë ishte kjo tek pika e basteve. Kam rreth një muaj e ca që kërkoj të gjej një mundësi tjetër, por deri tani vetëm call center mund të aplikosh rëndom.

Edhe aty shanset janë shumë të vogla, sepse unë italishten nuk e zotëroj shumë mirë”, shprehet ai. Kur e pyesim nëse ka dëgjuar për ndonjë mundësi lidhur me trajnime ose riintegrim në tregun e punës, ai shprehet “jo”, ndërsa lidhur me Shërbimin Kombëtar të Punësimit thjesht nuk ka informacion sa duhet. Si Endri janë me qindra të tjerë që nga 1 janari do të duhet të kërkojnë një punë të re dhe situata është më e vështirë për ata që janë familjarë, një shqetësim ky i ngritur më herët edhe nga Shoqata e Basteve Sportive.

AMLF “e ngrirë” firmos vetëm kërkesat për mbyllje

Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, prej më shumë se dy muajsh mbetet një institucion me aktivitet të pezulluar që pas vendimit të qeverisë për të ristrukturuar. Funksioni i vetëm që AMLF po kryen këto kohë duket se lidhet me përpunimin e kërkesave që janë bërë nga pikat e basteve për të mbyllur NIPT-et e tyre sekondare.

Pas dorëzimit të kërkesës nga ana e AMLF bëhet firmosja dhe certifikimi i saj, duke ezauruar hallkën e parë dhe më të rëndësishme për vendimin që mori qeveria lidhur me mbylljen e bingove tradicionale, kazinove elektronike dhe basteve sportive. Aktualisht, AMLF është në fazë ndryshimesh dhe pritet që të rifitojë kompetencat e saj, duke ju përshtatur situatës së re në treg me një prezencë më të kufizuar të kompanive që operojnë në lojërat e fatit.

Raporti i KE: Pasuritë e paluajtshme dhe lojërat e fatit po pastrojnë para

Komisioni Europian, në raportin e tij të fundit për monitorimin e pastrimit të parave në Shqipëri, ka publikuar dhe sektorët kryesorë, përmes të cilëve po bëhet pastrimi i parave në vend. Ai vë në dy mekanizma kryesorë, që janë lojërat e fatit dhe pasuritë e paluajtshme.

“Sektori i lojërave të fatit (përmes kërcënimit të infiltrimit kriminal në pronësi dhe në aktivitet) dhe sektori i pasurive të paluajtshme shihen që kanë një rrezik të madh për pastrimin e parave. Profesioni i noterit historikisht është konsideruar i brishtë për shkak të përfshirjes së tij në transaksionet e pasurive të paluajtshme, por rreziqet e tij janë zvogëluar vitet e fundit. Pas rritjes së kontrolleve mbi transaksionet e pasurive të paluajtshme, ditët e sotme rreziqet më të mëdha janë të pranishme në transaksionet ku nuk përfshihen noterët dhe agjentët e pasurive të paluajtshme (transaksionet informale), thuhet në raport.

Raporti thekson se të ardhurat nga krimi po qarkullojnë dhe investohen në disa forma në Shqipëri, për shembull përmes investimeve në pasuritë e paluajtshme dhe kompanive tregtare. Niveli i lartë i ekonomisë informale, e kombinuar me përhapjen e lartë të cash, përbën një rrezik për pastrim parash.

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave vlerëson se agjentët e pasurive të paluajtshme janë të përfshirë vetëm në 8% të transaksioneve të pasurive të paluajtshme, ndonëse roli i tyre po vjen në rritje. Lidhur me lojërat e fatit, raporti thotë se po merren masa nga Policia dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për të luftuar këtë fenomen. (Raporti është hartuar në korrik, përpara se qeveria të merrte vendimin për t’i ndaluar tërësisht ato – Shënim i Monitor).

“Autoritetet konsiderojnë në përgjithësi që lojërat e fatit dhe pasuritë e paluajtshme janë sektorët më të brishtë ndaj pastrimit të parave. Për lojërat e fatit, rreziku besohet të lidhet kryesisht me pronësinë dhe kontrollin e pikave sesa me aktivitetin e klientëve. Për sektorin e pasurive të paluajtshme, problemet shtohen nga mosregjistrimi i plotë i titujve dhe në shumë raste, nga mungesa e evidencave të besueshme të pronësisë, sidomos për pallatet e reja, çka përbën një brishtësi që mund të mundësojë pastrimin e parave./Monitor

Login to post comments